Trump s’ndalet me deklarata: Garancitë e sigurisë për Ukrainën do t’i ofrojë Evropa, jo SHBA

Trump s’ndalet me deklarata: Garancitë e sigurisë për Ukrainën do t’i ofrojë Evropa, jo SHBA

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se nuk do të jenë Shtetet e Bashkuara por Evropa që do të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën.

Komentet Presidenti Trump i bëri gjatë mbledhjes së parë me anëtarët e kabinetit të tij, si përgjigje ndaj një pyetjeje të gazetarëve, nëse marrëveshja mes Uashingtonit dhe Kievit mbi mineralet do të përmbajë garanci sigurie për Ukrainën.

Të martën zyrtarë të dy vendeve njoftuan se është rënë dakord mbi një projekt-marrëveshje që i mundëson Uashingtonit qasje tek mineralet e rralla në Ukrainë, raporton euronews

Ukraina tha sot se e kishte miratuar marrëveshjen kornizë, por shtoi se suksesi i saj do të varej nga bisedimet me Presidentin Donald Trump.

Më herët Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se mbeten ende të përcaktohen garancitë e sigurisë të cilat Kievi i konsideron si jetike.

Ai tha se gjatë vizitës së tij të premten në Uashington do të ketë një bisedë të gjerë e thelbësore me Presidentin Donald Trump.

Të mërkurën Presidenti Trump konfirmoi se zoti Zelenskiy do të vijë në Uashington të premten, por tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ofronin garanci të gjera sigurie.

“Unë nuk do të jap garanci sigurie të gjera, ne do t’ia kërkojmë Evropës ta bëjë këtë”, tha zoti Trump.

Në një kopje të projekt-marrëveshjes mbi mineralet, që është parë nga agjencia e lajmeve ‘Reuters’ më datën 25 shkurt thuhej se “qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet përpjekjet e Ukrainës për të marrë garancitë e sigurisë të nevojshme për të vendosur paqen e qëndrueshme”.

Marrëveshja për mineralet është pjesë e përpjekjeve të Presidentit amerikan Trump për t’i dhënë një fund sa më të shpejtë luftës mes Ukrainës dhe Rusinë.

Presidenti amerikan e propozoi marrëveshjen dhe si një mënyrë që Kievi të shlyejë miliarda dollarë ndihmë ushtarake që ka marrë nga Uashingtoni prej fillimit të luftës.

Zoti Trump ka thënë gjithashtu se nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, në Ukrainë do të nevojitej një prani trupash paqeruajtëse. Por Moska tha të martën se ishte kundër dislokimit të një force të NATO-s atje.

 

Shpërndaje në: