Trump shpërthen ndaj Zelenskyt: Pa ndihmat tona do ishit mposhtur shumë shpejt, s’keni më trupa, pranoni marrëveshjet ose largohemi

Trump shpërthen ndaj Zelenskyt: Pa ndihmat tona do ishit mposhtur shumë shpejt, s’keni më trupa, pranoni marrëveshjet ose largohemi

Ai që dukej si një takim paqësor mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, shumë shpejt u kthye në një përballje të ashpër në person, duke parë edhe një shpërthim real të Trump, me tone deri diku të ashpra.

Pasi Zelensky i kërkoi Trumpit të mos kishte kompromise me Vladimir Putin sa i takon negociatave të paqes, Trump dukej në linjë të qartë dhe tha se interesi i SHBA-ve ishte çfarë e drejtonte atë drejt marrëveshjes së mineraleve të rralla me Ukrainën dhe bisedimeve me Rusinë.

Por menjëherë pas, Trump filloi të radhisë disa aspekte të luftës sipas tij, që reflektojnë se Ukraina nuk e ka fuqinë për të pasur zë në negociata.

Me një ton të ashpër dhe të irrituar nga prania e Zelenskyt, Trump tha: “Duhet të jeni mirënjohës. Do të jetë e vështirë të bëjmë biznes kështu. Ju nuk keni mjaftueshëm trupa. Nuk mund të na thoni ne e doni apo jo një marrëveshje armëpushimi”.

Më tej, Trump ia preu shkurtimisht Zelenskyt: “Ose bëni marrëveshje, ose ne largohemi”.

Menjëherë pas i përmendi ndihmat e armëve, duke thënë se po të mos ishte për armatimet amerikane, Ukraina do të ishte pushtuar.

Zelensky iu përgjigj aty se këtë fjali e ka dëgjuar nga Vladimir Putin, tre ditë pas luftës.

Më pas, Trump replikoi: “Jeni duke treguar mungesë respekti për vendin tonë. Unë e di se ju (Ukraina) nuk jeni duke fituar”.

Në bisedë më pas është futur edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili i ka thënë Zelenskyt se në Ukrainë nuk kanë mbetur më burra për të luftuar.

Zelensky i është përgjigjur menjëherë: “Ejani dhe shiheni”.

Si po shkonte biseda përpara shpërthimit të palëve?

Sipas presidentit amerikan, Donald Trump, gjithçka në botë po shkonte keq para se ai të merrte presidencën dhe këtë mandat të dytë të tijin, ai kërkon ta shfrytëzojë për t’u mbajtur mend si një “paqebërës”.

Kështu ka artikuluar Trump gjatë një konference shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku ka thënë se qëllimi i tij është të shpëtojë jetë njerëzish.

“Kjo mund të ishte kthyer në Luftën e Tretë Botërore. Gjithçka po shkonte në drejtimin e gabuar. Shpresoj se do të mbahem mend si paqebërës. E bëj këtë për të shpëtuar jetë – kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, tha ai.

Trump po ashtu tha se do të ishte mirë nëse ai dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të ndalojnë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.

Zelensky më pas thotë se nuk duhet të ketë “kompromise” me presidentin rus Vladimir Putin në negociatat për një marrëveshje paqeje.

Ai i tregon Trumpit fotografi të mizorive të luftës dhe shton: “Unë mendoj se Presidenti Trump është në anën tonë”.

Me një frymë pozitive janë takuar të dy, ku pritet edhe kulmimi, përmes firmos së marrëveshjes së shumëpërfolur për shfrytëzimin e mineraleve të tokave të rralla të Ukrainës nga pala amerikane.

Një marrëveshje, e cila pritet t’i hapë rrugë edhe një bashkëpunimi më të gjerë mes dy vendeve.

Përpara takimit kokë më kokë, media është lejuar në sallë dhe të dy presidentët kanë pranuar pyetje të çastit.

Trump fillimisht ka konstatuar se është i nderuar me praninë e Zelenskyt në Washington dhe theksoi se marrëveshja me Ukrainën është “e drejtë” dhe se tregon një përkushtim shumë të madh nga pala amerikane. Ai shtoi se marrëveshjen do ta firmosë së bashku me Zelenskyn.

Teksa, reporterët kanë mësuar se firma do të hidhet gjatë konferencës për shtyp.

Zelensky nga ana tjetër, ka qenë i qartë dhe i prerë, duke thënë se do të kërkojë nga Presidenti Trump, të tregojë se çfarë SHBA-të janë të gatshme të ofrojnë për Ukrainën. Ai po ashtu theksoi se Evropa e ka treguar dhe ai e di se çfarë BE-ja mund të bëjë për Ukrainën.

Trump sakaq e quajti marrëveshjen të frytshme për të dy palët, duke shtuar se SHBA-të do t’i përdorin mineralet e rralla për prodhimin e armëve, apo deri edhe për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

“Ukraina nuk do të kthehet prapë në luftë”, tha Trump, ndërsa Zelensky i tregonte fotografi të ushtarëve ukrainas të kthyer nga marrja peng e rusëve.

Për Zelenskyn, Trump nuk do të ndalojë së mbështeturi Ukrainën, por prapë ai mendon se thjesht kjo marrëveshje e parë e mineraleve, nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur luftën dhe dokumenti duhet të pasohet nga të tjerë.

Sipas Trump ndërkaq, me firmosjen e marrëveshjes, Rusia nuk do ta mendojë më kthimin në Ukrainë.

Shpërndaje në: