Trump raportohet se do ta emërojë republikanin nga Florida në pozitën për të cilën përmendej emri i Grenellit

Trump raportohet se do ta emërojë republikanin nga Florida në pozitën për të cilën përmendej emri i Grenellit

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump pritet të emërojë përfaqësuesin Michael Waltz, një republikan nga Florida, për të shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare, raporton  televizioni amerikan CBS News.

Veteran i luftës në Afganistan dhe një mbështetës për një kohë të gjatë i Trump, Waltz u rizgjodh në Kongres javën e kaluar, por në rast se emërimi i tij konfirmohet  do t’i duhet të lirojë zyrën e tij për të shërbyer në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë rol, Waltz do të shërbente si këshilltar kryesor i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.

Siç u raportua gjatë ditës senatori Marco Rubio nga Florida është në bisedime për të qenë i nominuari i Trump për Sekretar Shteti, megjithëse zgjedhja nuk është një marrëveshje e përfunduar, raportuan mediat amerikane.

Pretendent për këto dy pozita përmendej emri i Richard Grenell.

Grenell i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe ka ushtruar detyrën e drejtorit të inteligjencës kombëtare, përmendej gjatë javë së kaluar si emër i mundshëm për të shërbyet në njërën nga dy pozitat e mëparshme.

“Ai konsiderohet pretendent për sekretar të Shtetit ose këshilltar për siguri kombëtare”, raportonte BBC javën e kaluar.

Shpërndaje në: