“Trump po na poshtëron”, Zelenskyy: E dimë që SHBA nuk na do në NATO
![“Trump po na poshtëron”, Zelenskyy: E dimë që SHBA nuk na do në NATO](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2024/05/auto_Volodymyr-Zelensky1701504615-450x300.jpg)
Volodymyr Zelenskyy është i bindur se Shtetet e Bashkuara nuk duan që Ukrainë të jetë pjesë e NATO-s. Pretendimi i tij, Zelenskyy e ngriti në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të mbajtur në Bruksel.
“I thashë Presidentit të SHBA-së, Donald Trump se garancitë e sigurisë janë padyshim një prioritet për ne dhe ne nuk shohim garanci pa ju. Cilat janë ato? Le të flasim. Unë e di që amerikanët nuk duan që ne të jemi në NATO, të jem i sinqertë. Dhe do të jetë shumë e vështirë për ne”, tha presidenti ukrainas.
Kievi dhe aleatët e tij evropianë kërkuan që të përfshihen në çdo negociatë paqeje, pasi presidenti i SHBA Donald Trump foli me telefon me Vladimir Putinin e Rusisë dhe tha se Ukraina nuk mund të rikthejë të gjithë tokën e saj dhe as të anëtarësohet në NATO.
“Është e rëndësishme që gjithçka të mos shkojë sipas planit të presidentit rus, në të cilin ai dëshiron të bëjë gjithçka për t’i realizuar negociatat e tij dypalëshe, mes tij dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne, si një vend sovran, thjesht nuk do të jemi në gjendje të pranojmë asnjë marrëveshje pa ne. Unë besoj se evropianët duhet të jenë në tryezë për bisedime sepse ne jemi pjesë e Evropës dhe sigurisht që do të jemi anëtare të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Hapi i njëanshëm i Trump ndaj Putinit, i shoqëruar me lëshime të dukshme për kërkesat kryesore të Ukrainës, ngriti alarmin si për Kievin ashtu edhe për aleatët evropianë në NATO, të cilët thanë se kishin frikë se Shtëpia e Bardhë mund të bënte një marrëveshje pa to.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius bëri thirrje që Evropa të përfshihet në negociata. “Duhet të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk mund të ulemi në tryezën e fëmijëve,” tha Pistorius përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.
Ndërkaq, Kancelari Federal Olaf Scholz e konsideron të parakohshëm debatin për një forcë të mundshme paqeruajtëse të Ukrainës me pjesëmarrjen e Bundesëehr-it. “Të gjithë e dinë se kjo nuk është një çështje tani,” tha Scholz për revistën “Politico”.
Nuk është as e qartë se në cilat kushte Ukraina do të ishte e gatshme të pajtohej me një marrëveshje paqeje.
Sakaq deputetë të tjerë të Bundestagut gjerman e konsiderojnë një poshtërim iniciativën e Trump për të filluar negociatat me Vladimir Putin, pa përfshirë edhe vendet europiane.