Trump po e dorëzon lidershipin global te Kina

PEKIN – Mes madhështisë me të cilën po shfaqet presidenti kinez Xi ndaj vizitorit të tij amerikan, presidentit Trump, është e zorshme të mos i shohësh dy liderët – dhe dy vendet – të ecin në drejtime krejt të ndryshme.
Xi-ja doli si lider i pakontestueshëm nga Kongresi i muajit të kaluar të Partisë Komuniste. Autoriteti i tij është aq i madh sa ai i Mao Zedong-ut dhe Deng Xiaopingut. Gazeta The Economist i dha atij epitetin nderues që zakonisht është i rezerveruar për një president amerikan: njeriu më i pushtetshëm në botë.
Trumpi doli nga Air Force One [ajroplani zyrtar i presidentëve amerikanë] në Pekin të mërkurën me një popullaritet mosvet të ulët. Kredibiliteti i tij poashtu është ulur ndjeshëm – me sondazhet që tregojnë një rënje të madhe besimi për lidershipin amerikan.
Ndërsa trajektoret personale të zt.Trump dhe zt.Xi ndryshojnë, poashtu ndryshon edhe fokusi i lidershipit të tyre. Ndërsa zoti Trump është i obsesionuar në ndërtimin e mureve, zt.Xi është i zënë duke ndërtuar ura.
Në Forumin Ekonomik Botëror në Janar, zt.Xi deklaroi se Kina ishte kampioni i ri i tregut të lirë dhe globalizimit. Iniciativa e tij do t’i investojë një trilion dollarë për të lidhur Azinë me Evropën përmes një rrjeti të linjave detare, rrugëve, hekurudhave, dhe po, edhe urave. Kina do të marrë qasje në burime, eksporti kapacitetin e tij të shtuar industrial dhe do të ketë një pikëmbështetje paqësore strategjike të cilin do ta përkthejë në më shumë pushtet.
Ndërsa zt.Trump e shmang multilaterizmin dhe qeverisjen globale, zt.Xi në anën tjetër vazhdimisht i përqafon këto gjëra.
Administrata e zt.Trump është zvogëluar në Kombet e Bashkuara, është tërhequr nga marrëveshjet tregtare të partneritetit të Trans-Pacifikut, e ka hequr përkushtimin e Amerikës në akordin për klimën në Paris, ka provuar të tradhtojë marrveshjen nukleare me Iranin, e ka vënë në pikëpyetje aleancën e Amerikës me Evropën dhe Azinë, e ka diskredituar Organizatën Botërore të Tregtisë dhe marrëveshjet tregtare multishtetërore, dhe ka kërkuar të mbyllë derën për emigrantët.
Zt.Xi? Ai e ka marrë lidershipin sa i përket agjendës së ndryshimeve klimatike, e ka përqafuar sistemin e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe i ka rritur votat e Kinës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pekini po ecë përpara me një pakt tregtar që mund të përfshijë ekonomitë më të mëdha aziatike plus Australinë dhe Zelandën e Re, por jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kina është tashmë një prej kontribuesve kryesorë në buxhetin e Kombeve të Bashkuara, dhe në operacionet e saj paqeruajtëse. Dhe zt.Xi është duke e bërë një lojë të vendosur për t’i marrë inovatorët dhe shkencëtarët më të mirë në Kinë.
Në vendin e tij, zt.Xi po ndërmerr investime strategjike që do t’ia mundësonin Kinës të dominonte ekonominë globale në shekullin 21, duke përfshirë teknologjinë informative dhe inteligjencën artificiale – ku, siç ka paralajmëruar Eric Schmidt i Google, Kina do ta kapërcejë SHBA-në në dekadën që po vjen. Zt.Xi është i tëri i përfshirë në robotikë, hapësirën ajrore, trenat e shpejtësisë së lartë, mjetet e energjisë së re dhe në prodhimet e avancuara mjekësore.
Investimet ‘strategjike’ të zt Trump në anën tjetër – në thëngjill dhe në përpjekjen donkishoteske për t’u kthyer te manufakturimi që humbi në këtë kohë – do ta bënte SHBA-në kampion vetëm në ekonominë e shekullit 20.
E gjithë kjo që Kina të bëhet, siç tha vetë presidenti kinez, “një zgjedhje tjetër për shtetet e botës” dhe që të bëhet një arbitër parimor i diçkaje që për kohë të gjatë lidhej me SHBA-në: rendi ndërkombëtar. Kina ka një pjesë të rëndësishme në atë rend ndërkombëtar dhe në botën e globalizuar: i duhet qasje në teknologjinë e avancuar dhe në tregjet e eksportit në të cilat varet rritja e saj e mëtejme.
Pekini vazhdon të kontrollojë sektorët kyq të ekonomisë së saj në investimet e jashtme. Ajo imponon kërkesa drakonike për kompanitë e huaja – si psh të marrin një partner kinez dhe të heqin dorë nga prona e tyre teknologjika dhe intelektuale – gjë që shtetet e tjera nuk ua bëjnë kompanive kineze.
Investimet e huaja kineze mund të jenë eksploative – duke i përdorur punëtorët kinezë dhe kontraktorët kinezë në vend të atyre lokalë, duke i mbajtur shtetet e vogla në borxhe enorme.
Aftësia e zt.Xi për t’i dhënë një dimension të ri influencës kineze sfidohet nga dobësitë sistematike të këtij vendi. Një mal borxhesh. Pabarazia në rritje. Ngadalësimi i prodhimit, i ndikuar nga një popullsi në moshë, një produktivitet i ulët dhe kompani joefikase të pronësuara nga shteti. Ajri helmues dhe uji i pamjaftueshëm. Dhe një sistem represiv.
Por këto mund të mos kenë rëndësi. Kurrë nuk do të vija bast kundër Shteteve të Bashkuara, por nëse nacionalizmi i Trumpit, proteksionizmi, unilateralizmi dhe ksenofobia vazhdon, modeli kinez do të triumfojë.
Bota nuk vetëorganizohet. Dhe ndikimi amerikan në rendin ndërkombëtar ka avancuar vlerat liberale dhe normat progresive – demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, mbrojtjen e mjedisit etj. Nga abdikimi i rolit të liderit botërorë që ka luajtur që pas Luftës së II-të botërore, Shtetet e Bashkuara po i japin terren të tjerëve që të bëjnë organzimin e botës në bazë të vlerave që kanë, dhe jo të Amerikës.
Xi-së nuk i vjen turp të tregojë se kush do të jetë ky komb tjetër. Me zt.Trump që i dorëzoi hapësirë Kinës, rendi ndërkombëtar liberal që e definoi gjysmën e dytë të shekullit të 20, mund t’i lëshojë rrugë një rendi iliberal. | New York Times | Përktheu Periskopi