Trump ma vodhi nënën time
Në vitin 2017 ajo nuk më erdhi në dasmën e martesës në Baltimore. Sivjet, nuk më erdhi në ceremoninë e diplomimit. Mesazhet e mia për të në Facebook mbesin pa përgjigjje. Duket se i lexoi, pasi gjashtë muaj më parë mora një pako ku ndodheshin të gjitha fotografitë e fëmijërisë sime dhe notat e shkollës fillore që i mbante – bashkë me të gjitha dhuratat që i kisha dhënë përgjatë dy dekadave të fundit. Kutia s’mbante asnjë shënim.
Çka bëra që e meritova një ndëshkim të tillë? I bërtita pse i kishte dhënë votën Trumpit.
E përmenda që isha student, apo jo? Specifikisht unë studioj kompanitë amerikane dhe marrëdhënien e tyre me Gjermaninë Naziste dhe Holokaustin. Kur unë dhe nëna ime ende po flisnim, do t’i tregoja për implikimet e hulumtimit tim. Do t’i shpjegoja për rreziqet e populizmit racist, demagogjisë, korrupsionit të korporatave, gjëra që do të mund ta çonin Amerikën drejt një rruge destruktive të cilën dikur e kishte ecur Evropa. E dija se e këqyrte Fox Newsin. Nuk kisha iluzione se ajo do të merrte informacione të sakta tjetërkund, por të paktën mund të merrte një perspektivë më të informuar nga i biri i saj.
Kur erdhi 2015-a, filluan të më shkonin nerva hajgaret raciste që mbështesnin Trumpin. Twitteri nuk është një vend i shëndetshëm për shumë grupe njerëzish, përfshirë hebrenjtë si unë që bëhen të zëshëm për Holokaustin. I kam dërguar ‘screenshote’ të ngacmimeve ndaj meje nga racistët e Trumpit. Ata më dërgonin svastikën dhe fotografi të mia në dhoma gazi, “Kur Trumpi të zgjedhet, je i mbaruar,” postonin ata në Twitter.
Nëna ime nuk i këqyrte ato, por ajo ishte rritur nga një hallë dhe një dajë hebre. Mendoja që nëse perspektiva e arsyeshme historike nuk do t’ia ndryshonte mendjen, atëherë ndoshta kërcënimet direkte ndaj të birit do ta bënin atë. Ajo do të shprehte shqetësim për mua personalisht, por do të shpërfillte kërkesat e mia për të mos mbështetur një kandidat që kishte inspiruar ato.
Jo shumë kohë pas zgjedhjeve të vitit 2016, nëna më informoi se kishte votuar për Trumpin. Eksplodova. I thashë se e kishte hëngër foren e injorantëve e fanatikëve. Menjëherë isha penduar që kisha shpërthyer ashtu. Ani që isha tepër i trishtuar, frustruar e zemëruar me atë që e priste Amerikën, i dërgova nënës e-maile ku i kërkoja falje.
Tekefundit, nënë e kisha.
Ajo i përgjigjej thirrjeve, letrave dhe mesazheve në rrjetet sociale me një heshtje guri.
Tash jam i vetëm në botë duke provuar që t’ia dal si historian por pa bekimet apo mbështetjen e nënës. Nuk është e lehtë. Ndoshta nëna kishte të drejtë që më thoshte të mos bëhesha historian. Amerikanët po i kthejnë shpinën historisë.
Gjithnjë shpresoj që nëna do të më përgjigjet. Kjo është e para herë që po i drejtohem asaj në publik, kështu që do t’i them këtë:
“Tung nënë, shpresoj që je mirë dhe po kujdesesh për veten. E ke rritur një djalë të fortë, siç duhet të jemi shumë nga ne këto ditë. Shpresoja që nuk do të kishim nevojë t’i mësonim mësimet e historisë në mënyrë kaq akute, por ende shpresoj për më mirë derisa përgatitem për më të keqen. Shpresoj që një ditë do ta shohësh trumpizmin si një forcë destruktive; veç këqyre çfarë dëmesh i bëri familjes tënde. I mungon shumë djalit tënd. I mungon shumë Amerikës.
Me dashuri,
Xhej [Jay] /Periskopi