Trump dhe Putin mund të takohen këtë muaj – fati i Ukrainës “në duart” e SHBA-së
Krahas një lufte të mundshme tregtare dhe të ardhmes së Gazës, një nga çështjet më të rëndësishme në tryezën e Donald Trump është fati i Ukrainës.
Trump po kërkon një fund të shpejtë të luftës dhe lë të kuptohet se një takim me Vladimir Putin është planifikuar prej javësh.
Përgatitjet për takimin tani janë në një “fazë të avancuar”, sipas mediave ruse, pas tre vjetësh praktikisht asnjë kontakti të nivelit të lartë midis Putinit dhe udhëheqësve perëndimorë.
“Mund të ndodhë në shkurt ose mars”, tha politikani i lartë rus Leonid Slutsky.
Bëhet e ditur se muajin e kaluar, Trump kërcënoi se do të vendoste “nivele të larta” sanksionesh ndaj Rusisë dhe tarifa për importet nga atje nëse Moska nuk arrinte një zgjidhje me Ukrainën, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në të njëjtën kohë, ai tha se simpatizon qëndrimin rus se Ukraina nuk duhet të jetë pjesë e NATO-s.
Nafta dhe armët bërthamore
Trump ka thënë gjithashtu se bisedimet mund të mbulojnë përpjekjet për të reduktuar armët bërthamore.
Raportohet se Putini ka modernizuar forcat e tij bërthamore pas pezullimit të një traktati, New START, i cili kufizoi numrin e kokave dhe raketave të vendosura.
Ai ka refuzuar më parë bisedimet me Uashingtonin për zëvendësimin e traktatit kur ai të përfundojë në shkurt të vitit të ardhshëm.
Nga ana e tij, presidenti rus ka treguar se dëshiron që bisedimet të fokusohen në Ukrainën dhe çmimet e naftës.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shihen nga Rusia si vende të mundshme për mbajtjen e bisedimeve.