Trump akuzon Zelenskyn: Merr miliarda dollarë ndihma, por po refuzon marrëveshjen për paqe

Trump akuzon Zelenskyn: Merr miliarda dollarë ndihma, por po refuzon marrëveshjen për paqe

Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale, Donald Trump, ka kritikuar ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar se po përfiton miliarda dollarë nga ndihmat e SHBA-së pa ndërmarrë hapa për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund pushtimit rus në Ukrainë.

Këto deklarata u bënë gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore, ndërsa lideri ukrainas po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Sipas Trump, Ukraina duhej të kishte bërë lëshime ndaj Rusisë para se të niste pushtimi i plotë nga Moska në shkurt 2022.

“Çfarëdo marrëveshje – qoftë më e keqja – do të kishte qenë më e mirë se çfarë kemi tani”, tha ai.

Trump sugjeroi se një marrëveshje e keqe do të kishte shmangur shkatërrimet dhe viktimat që po përjeton aktualisht Ukraina.

Trump gjithashtu e ka përsëritur tezën e tij të njohur, se Rusia nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën nëse ai do të ishte ende president dhe se, nëse zgjidhet sërish, ai do t’i jepte fund luftës në kohë rekord. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje konkrete për mënyrën se si do ta arrinte këtë qëllim, duke shkaktuar kritika se mungojnë zgjidhje praktike.

Komentet e Trump duket se janë një reagim ndaj një interviste të Zelenskyt për revistën “New Yorker”, ku ky i fundit shprehu dyshime për aftësinë e Trump për të ndaluar luftën, duke thënë se ish-presidenti “nuk di vërtet se si ta ndalojë luftën, edhe nëse mendon se e di”.

Në të kaluarën, Rusia dhe Ukraina zhvilluan disa negociata, por Kievi hodhi poshtë kërkesat e Moskës, të cilat përfshinin njohjen e aneksimit të Krimesë dhe territoreve të tjera të kontrolluara nga separatistët.

Ndërkohë, vizita e Zelenskyt në Uashington më 26 shtator pritet të përfshijë takime me presidentin Joe Biden, i cili do të shpallë ndihma të reja për Ukrainën, duke reflektuar vazhdimin e mbështetjes së fortë nga SHBA për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.

Ish-presidenti amerikan deklaroi se udhëheqësi ukrainas ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe e akuzoi atë për bërjen e “disa shpifjeve të vogla dhe të liga” kundër tij, duke iu referuar vetes si “presidenti juaj i preferuar”. Trump e përshkroi Ukrainën si një vend të shkatërruar, me përjashtim të Kievit, dhe ngriti dyshime mbi aftësinë e Ukrainës për të negociuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

“Çfarë marrëveshje mund të bëjmë? Ukraina është e shkatërruar. Njerëzit janë të vdekur. Vendi është në rrënoja”, tha Trump.

Në ndërkohë, Zelensky ka shprehur synimin për t’i prezantuar presidentit, Joe Biden një plan për fitoren në luftë, i cili thuhet se do të përfshijë kërkesën për përdorimin e armëve me rreze të gjatë që Shtetet e Bashkuara po i furnizojnë Ukrainën.

Raportet fillestare sugjeronin se një takim mes Trump dhe Zelenskyt mund të zhvillohej në New York, por sipas burimeve mediatike amerikane, ky takim pritet të anulohet. /Telegrafi/

Shpërndaje në: