“Troja” sonte me koncert-protestë kundër korrupsionit

“Troja” sonte me koncert-protestë kundër korrupsionit

Katër anëtarët e grupit, Bujar Berisha, Florent Bajrami, Agron Ejupi dhe Violand Shabani sonte mbrëma do të ngjiten në skenën e cila është ngritur në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ku do të performojnë live këngët e tyre të fuqishme dhe me tekste plot mllef kundër padrejtësive dhe korrupsionit në vend.

“Ky është një ndër koncertet tona në vazhdim të sensibilizimit të opinionit kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kampanja jonë për liberalizimin e vizave, që e kemi filluar para 6 viteve “The young Ghettopeans” prapë ndërlidhet me javën kundër korrupsionit, sepse edhe pse qeveritarët po mundohen tu hedhin hi syve të qytetarëve se është demarkacioni pengesa për lirinë e lëvizjes, kushti numër një për heqjen e barrierës është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjë që janë vetë zyrtarët qeveritarë”, ka thënë vokalisti Bujar Berisha për KultPlus.

Tekstet e bendit ‘Troja’ janë të njohura për përmbajtjen e tyre sociale dhe anti-kriminale. Gjithë karriera e tyre muzikore ka qenë në promovim të vlerave të mirëfillta demokratike e njerëzore. Përmes mllefit që shprehin, rebelimit dhe pakënaqësisë me realitetin ku jetojmë, këngët e tyre kanë arritur të mbeten histori e kënduar.

“Prandaj ne ju bashkëngjitëm këtij organizimi me qëllim që t’i thërrasim qytetarët në një protestë super-paqësore që është koncerti. Kemi vërejtur një hezitim të qytetarëve në pjesëmarrje të protestave ku kërkohen gjëra thelbësore të tyre, vetëm për shkakun sepse qeveria është e kujdesshme që t’i japë ngjyrosje partiake çdo lloj tentimi për të shprehur pakënaqësinë”, ka thënë tutje Bujar Berisha për KultPlus.

Në këtë koncert sonte bendit ‘Troja’ do t’i bashkëngjiten edhe artistët si BimBima dhe Ergeni. “Do të ishte një mundësi ku qytetarët të dalin të shprehin pakënaqësitë e tyre duke na u bashkangjitur sonte në koncertin që do të mbahet në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”, është shprehur Bujar Berisha. Lufta kundër korrupsionit do të marrë formën e një miniproteste muzikore, në ditën e përmbylljes së aktivitetit “Java kundër korrupsionit”. Koncerti protestë i bendit ‘Troja’ do të mbahet sonte në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në orën 20:00.

Rok grupi kosovar Troja, grup ky i formuar në vitin 1990, qysh në fillim kanë ardhur ndryshe duke e ngritur gjithmonë zërin kundër së keqes në vend dhe që nga ajo kohë zëri i tyre gjithmonë është ngritur përmes këngëve të cilat kanë ardhur me tekste tejet të fuqishme. Tekstet e këngëve që shpesh shoqërohen me videoklipe si dhe performancat e tyre live kanë bërë që ky grup të bëhet shumë i dashur për publikun. Ky koncert organizohet nga Ambasada e Amerikës në Kosovë.  / KultPlus.com

Shpërndaje në: