Tri ndeshjet e javës së 16’të në Superligë – Ndryshimet në tabelë dhe deklaratat e trajnerëve pas takimeve
Sot janë zhvilluar tri takimet e javës së 16’të në Superligën e Kosovës në Futboll.
Malisheva e ka mposhtur Prishtinën me rezultatin 2:1 në një takimi që u zhvillua me tensione të shumta, shkruan Periskopi.
Të parët që kaluan në epërsi ishin skuadra vendasen përmes Drilon Hazrollajt qysh në minutën e 3 të takimit, por kryeqytetasit e mblodhën vetën dhe barazuan rezultatin në minutën e 20’të me golin e Endrit Krasniqit nga pika e bardhë.
Kur po mendohej se gjithçka do të mbyllej e barabartë, në fund të ndeshjes Mendin Bajrami ia siguroi tre pikë të arta klubit të tij.
Ndërkaq, në ndeshjen e dytë mes Drenicë dhe Dukagjnit ishte një atmosferë tjetër.
Skuadra e Dukagjinit si mysafire e mposhti me rezultatin 0:1 klubin e Drenicës.
Golin e vetëm për mysafirët në këtë takim e realizoi, Alti Merlaku në minutën e 20 të kësaj sfide.
E ndeshja e tretë për nga rënditja e jo nga rëndësia ishte ajo mes Ferizajt dhe Trepçës’89 që solli pesë gola në total.
Me Trepçën që e fitoi këtë ndeshje me rezultatin final në 2:3 me golat e shënuar nga Albion Pllana, Egzon Fazliu dhe Abdulah Oyekanmi.
Me këto ndeshje ndryshoi edhe rënditja e skuadrave në tabelë.
Me humbjen nga Malisheva, Prishtina mbetet me 23 pikë në vendin e tretë, ku Ballkani ndodhet në vendin e dytë me 27 pikë dhe Drita që ka 31 dhe vazhdon për titullin e Superligës.
Më poshtë në grafikë mund ta shikoni rënditjen e plotë të skuadrave bashkë me pikët pas xhiros së 16’të:
Deklarata e trajnerit të Prishtinës, Ismet Munishi:
Pas humbjes nga Malisheva para mediave ka folur edhe trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi i cili u ankua për fushën që ka Malisheve dhe se në një situate të tillë klubi nuk kishte si të arrinte suksesin.
“Me të thonë të drejtën i përgëzoj lojtarët për angazhimin, kësi fushe nuk e di a ekziston ne botë dikun përveç këtu. Topi kërcen shumë dhe rreziku për lëndime është i madh”, tha Ismet Munishi për Art Sport1.
Kurse trajneri i FC Malishevës, Sami Sermaxhaj tha se ekipi i tij luajtën më mirë në pjesën e dytë dhe kjo bëri që ata ta ndëshkojnë Prishtinën.
Deklarata e trajnerit të FC Malishevës, Sami Sermaxhaj:
“Ishte një lojë e mirë, ku pjesa e parë ishte e nivelizuar, pasi si ne ashtu edhe Prishtina kishim raste për gola”.
“Në pjesën e dytë ishim më të mirë, ishte një ekip me karakter të fortë. Angazhimi i lojtarëve të Malishevës ishte më i madh se kundërshtari dhe rezultoi më gol që na dha pikët e rëndësishme”.
Trajneri permendi edhe humbjen e dhimbshme nga Dukagjini fundjavën e kaluar, mes tjerash ai tha: “Kjo tregoi se rezultati i lojës së kaluar ishte vetëm aksidental për ne, pasi këta lojtar kanë karakter dhe disiplinë të madhe”, tregoi ai.
Deklarata e trajnerit të Trepçës’89, Shpëtim Idrizi:
Ndërkaq, Shpëtim Idrizi trajneri i Trepçës’89 ka folur pas një fitore fantastike ndaj Ferizajt në udhëtim, duke u shprehur se klubi i tij ka fituar dy ndeshje rresht dhe atyre i jep komoditet dhe stabilitet.
“E kemi ditur se do të jetë një sfidë e vështirë dhe iu kemi qasur takimit me seriozitetin më të madh, për ta fituar”, deklaroi strategu i Trepçës ’89 për ArtSport.
“Këtë ia dolëm, falë angazhimit të madh të lojtarëve që i përgëzoj për atë që treguan në fushë”.
“Është hera e parë që i fitojmë dy ndeshje rresht dhe kjo na jep një stabilitet dhe komoditet për një periudhë”.
“Na mbetet akoma të përmirësohemi pasi ka edhe shumë ndeshje deri në fund”, ka shtuar më tej Idrizi.
Kujtojmë se nesër do të zhvillohen edhe dy ndeshje në kuadër të xhiros së 16’të, ku Ballkani pret Llapin e Tahir Batatinës në shtëpi me fillim nga ora 13:00 dhe ndeshja tjetër po në këtë orar do t’i takojë derbit të madh kosovar, Gjilanit dhe Dritës./Periskopi/ Ideal Sufaj/