Tri mënyrat si mund të shpërbëhet Bashkimi Evropian
Për një herë të vetme, Marine Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë francez, mund të ketë të drejtë. Ajo e quajti votën e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian ngjarjen më të madhe politike që Evropa ka parë që nga rënia e Murit të Berlinit. Kjo mund të rezultojë e vërtetë: Brexit e ka destabilizuar Mbretërinë e Bashkuar dhe mund të përfundojë duke shkatërruar BE-në.
Federalistët e vjetër mund të thonë se përgjigjja ndaj Brexit duhet të jetë integrimi i mëtejshëm i BE-së. Por kjo përgjigje është e sforcuar dhe e rrezikshme. Gjermania dhe Franca janë shpesh në kundërshtim dhe të dyja kanë liderë të dobët që përballen me rizgjedhje vitin e ardhshëm të cilët zor se mund të mbledhin mbështetje për një “bashkim edhe më të afërt”. Ndjesia anti-BE është shumë e përhapur dhe shumë e thellë për t’i dhënë më shumë fuqi zyrtarëve të pazgjedhur të BE-së dhe për të imponuar kufizime shtesë ndaj vendimmarrjes kombëtare pa hapur probleme.
Trazira e menjëhershme post-Brexit duket se ka nxitur mbështetje për politikanët tradicionalë dhe BE-në; por nuk ka gjasa të zgjasë. Rezultatet e Brexit me gjasa do të gërryejnë performancën ekonomike të eurozonës dhe do të polarizojnë më tej politikën evropiane teksa votuesit bëhen më të pasigurt. Dominimi gjerman i BE-së do të rritet dhe po kështu do të ndodhë edhe me ndjenjën anti-gjermane në shumë vende. Me një BE të dobët dhe të përçarë që nuk mund të zgjidhë shumë kriza të Evropës dhe me nacionalizmin në rritje, ne mund të presim shpërbërje të mëtejshëm në forma të ndryshme.
Forma më ekstreme do të ishin daljet e mëtejshme nga shtetet anëtare. Largimi prej BE-së dikur dukej i paimagjinueshëm: asnjë vend nuk e ka bërë dhe vetëm ekstremistët e kanë propozuar. Brexit tani e bën largimi të duket i mundshëm dhe disi i logjikshëm. Tashmë, Geert Ëilders, Partia Liri e ekstremit të djathtë të të cilit po kryeson sondazhet përpara zgjedhjes së madhe në Holanda marsin e ardhshëm, po kërkon një referendum për anëtarësinë në BE. Po kështu edhe Partia Popullore e Danimarkës, që është partia më e madhe në parlamentin danez, por që nuk është në qeveri.
Në Francë, ku kundërshtimet ndaj BE-së janë edhe më të mëdha se në Mbretërinë e Bashkuar, Le Pen po bën fushatë me premtimin e një “Frexit” plebishitar. Ajo aktualisht kryeson sondazhet për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale prillin e ardhshëm. Dhe këto sondazhe sugjerojnë se ajo do të mundet në raundin e dytë nga një sfidues konservator më i moderuar, votuesit e qendrës së majtë, të cilët janë të lodhur me kursimin, establishmentin politik dhe dominimin gjerman mund të vazhdojnë ta mbështesin. Për më tepër, ndjesia në rritje e pasigurisë pas sulmit në Nisë më 14 korrik – i treti sulm terrorist në Francë në 18 muaj – është në favor të Le Pen.
Shpërbërja mund të marrë gjithashtu një formë më pak ekstreme por më tepër të fshehtë nëse qeveritë zgjedhin të shpërfillin rregullat e BE duke mos ndëshkuar. Në Itali, kryeministri Matteo Renzi kërkoi të përfitonte nga destabiliteti post-Brexit për të përdorur fondet publike për të kapitalizuar bankat zombi të Italisë, pa imponuar humbjet te kreditorët e tyre, duke anashkaluar kështu rregullat e reja të BE-së për “shlyerjen e borxheve” për bankat. Në Francë, kryeministri Manuel Valls kërcënoi të shpërfillë rregullat e BE-së për punëtorët nëse nuk modifikohej për të parandaluar punëdhënësit nga marrja në punë e njerëzve të shteteve të tjera të BE me kushte më të këqija se vendasit.
Gjermania pretendon se Franca po luan gjithashtu me rregullat fiskale të eurozonës, pa kundërshtim nga Komisioni Evropian. Dhe ndërsa komisioni kërcënoi Spanjën dhe Portugalinë me gjoba për huadhëniet e tyre, së fundmi u tërhoq. Ai gjithashtu kritikoi kontrollet kufitare të njëanshme të qeverive që janë në zonën Shengen.
Më keq akoma, Komisioni ka bërë një sy qorr ndaj kryeministrit joliberal të Hungarisë, Viktor Orban, pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme nga ana e qeverisë së tij ndaj sundimit të ligjit dhe normave demokratike. Qeveritë e Hungarisë dhe vendeve të tjera që refuzojnë t’i binden programit të BE-së për rilokalizimin e refugjatëve në BE, që gjithsesi është zbatuar shumë pak; Orban po mban një referendum të tetor për të fuqizuar pozicionin e tij.
Një kërcënim i tretë për integrimin e BE-së është kapja e mëtejshme e qeverive nga partitë nacionaliste anti-establishment. Siç ka theksuar Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, partitë kryengritëse tashmë luajnë një rol direkt në qeveri në tetë nga 28 shtete të BE.
Në Austri, kandidati i ekstremit të djathtë, Norbert Hofer kryeson opinionin publik në një rikandidim për zgjedhjet presidenciale të vendit, të caktuara në tetor. Në të njëjtin muaj, Italia do të mbajë një referendum kushtetues për të reformuar Senatin dhe Renzi është zotuar të japë dorëheqjen nëse nuk kalon. Kjo do t’i hapte derën Lëvizjes anti-establishment Pesë Yje, që tashmë fituan zgjedhje lokale në Romë dhe Torino dhe kanë bërë thirrje për një referendum mbi anëtarësinë e Italisë në eurozonë (jo në BE).
Edhe kur partitë populiste nuk fitojnë, politikanët e establishmentit ende bëjnë lëshime ndaj mbështetësve të tyre. Për shembull, Alain Juppe, kandidati kryesor presidencial i republikanëve në Francë mendon të kufizojë lëvizshmërinë e tregut të punës në BE, ashtu sikurse rivali i tij kryesor, ish-presidenti Nicolas Sarkozy.
Për të kundërshtuar këto forca të shpërbërjes, BE-ja duhet të bëjë më pak, por ta bëjë këtë më mirë. Ekonomikisht, planet për institucione të reja mund të presin; eurozona duhet të përqendrohet në vend të kësaj te politikat për të rritur standardet e jetesës për të gjithë. Këto duhet të përfshijnë lëshime ndaj kufizimeve fiskale; më tepër investim; një fund të uljeve që i jepet borxheve të vendeve fqinje; dhe taksa më të ulëta në tregun e punës.
Liderët e Evropës gjithashtu duhet të rikthejnë besimin. Si fillim, ata duhet të përdorin rregullat e reja të BE-së për borxhet për të pastruar bilancet e bankave, të imponojnë humbjet te kreditorët dhe të kompensojnë çdo investitor të vogël që kanë blerë mbi premisa të rreme.
Politikisht, BE-ja duhet të theksojë bashkëpunimin efektiv në luftën kundër terrorizmit. Dhe, në vend që të përpiqet të detyrojë qeveritë kokëforta të pranojnë refugjatët e padëshiruar, autoritetet e BE-së duhet të ndjekin një program më të pjekur dhe të sigurt me qeveritë e gatshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme përballë fatit të pasigurt të marrëveshjes së BE-së me Turqinë për të kufizuar valën e refugjatëve, që është bërë më i pasigurt pas grushtit të dështuar të shtetit muajin e shkuar.
Liderët e BE-së duhet të zgjohen. Me shpërbërjen që u kanoset, ata duhet t’i tregojnë urgjentisht evropianëve të shqetësuar se përfitimet e BE-së i tejkalojnë kostot e saj. /Project Syndicate/reporter.al/