Trepça dhe kapitalizmi

Trepça dhe kapitalizmi

Shkruan: Birol Urcan

 Diskutimet e ditëve të fundit lidhur me ligjin mbi Trepçën ishin tërësisht të fokusuara  në atë se cilit komb apo etni i takon Trepça. Kjo çasje është edhe e arsyeshme marrë parasysh rrethanat e përgjithshme në të cilat ndodhet vendi. Por nuk është aspak e arsyeshme nëse duam të flasim për ndikimin e këtij ligji në jetën reale, pra në jetën e përditshme të kosovarëve.

Në fakt pjesa qëndrore e diskutimit mbi Trepçën do të duhej të ishte e bazuar në atë se çka përfitojnë punëtorët dhe kosovarët në raport me përfitimet e kapitalistit i cili në një apo tjetër mënyrë do të menaxhojë Trepçën në të ardhmen. Me fjalë tjera, para se të konstatojmë “kështu janë rrethanat”, duhet të diskutohet se kush i ka krijuar këto rrethana dhe në shërbim të kujt janë këto rrethana.

Në fakt devijimi i debatit për Trepçën nga gjëra esencalisht materiale dhe të prekshme si interesi ekonomik, në gjëra virtuale si etnia dhe kombi është një shembull lokal i një fenomeni tipik global.

Me vënitjen e ndikimit të fesë në hemisferen përendimore në fund të shekullit 19 dhe në shekullin 20, ndarjet në kategori imagjinare si kombi dhe etnia kanë mbetur armët e fundit të hegjemonisë kapitaliste në tentim për bindjen e të varfërve dhe të shtypurve se janë të barabartë me të pasurit. Bazuar në zhvillimet e përgjithshme të dy shekujve të kaluar mund të thuhet se ky tentim ka qenë mjaft i suksesshëm.

Në fakt nacionalizmin si një fenomen në shërbim të kapitalistit e kishte definuar shumë bukur Rosa Luxemburg kurnë fillim të shekullit të kaluar nacionalizmin e pati përkufizuar si : ” një “frazeologji të zbrazët mikroborgjeze dhe një mashtrim – sëmundje, që shkëput klasën punëtore të një shteti nga klasa punëtore e një shteti tjetër – objektiv primar ky I klasës kapitaliste.”

Pra sipas Luxemburg,nacionalizmi dhe nacionalizmi etnik në veçanti, kanë për qëllim të krijojnë përshtypjen tek punëtori se është i barabartë me pronarin e kompanisë i cili është shumë herë më i pasur se ai. “Unë jam i varfër e ai është i pasur por pasi që të dytë jemi shqiptarë i bjen që jemi të barabartë, jemi një. Plus që armikun (kombin tjetër) e kemi të përbashkët.” Kjo është pak a shumë forma e mendimit që e imponon nacionalizmi tek të shtypurit, duke i bërë shërbim të çmuar kapitalizmit.

Por në realitet situata dihet. Punëtori punon shumë dhe mundohet të krijojë një ardhmëri për vetën e vet dhe familjen, derisa shumica e resurseve për të ngritur në një klasë më lartë sikurse janë: edukimi kualitativ, kapitali investues, lidhjet me pushtetin e të tjera janë në duart e të pasurve. Nga ana tjetër, punëtori, falë idesë etnike-nacionaliste, e përmbush mungesën e suksesit individual duke u thirrur në arritjet kombëtare. Më saktësisht duke u thirrur në arritjet e Rita Orës, futbollistëve me prejardhje shqiptare dhe përsonaliteteve të tjera të suksesshme që identifikohen me prejardhje shqipatare në në Evropë dhe botë.

Duke i konsideruar këto arritje edhe si arritje të tyrë personale ata gjejnë ngushëllim për mosrealizimin e shumicës së ëndrrave të tyre përkatësisht për mosrealizimin e tyre si individ në sistemin kapitalist. Këto arritje (të Rita Orës, futbollistëve etj.) nuk ndryshojnë asgjë në jetën e qytetarit dhe nuk i sjellin asnjë dobi konkrete, por prap se prap qytetari në emër të kombit dhe etnisë i gëzohet këtyre arritjeve dhe e përjeton më me lehtësi varfërinë e  përditshme.

Kjo është tamam ajo çka dëshiron kapitalizmi.

Nëse kthehemi te rasti konkret i debatit mbi Trepçën: I tërë debati për këtë ligj edhe në Kuvend por edhe jashtë Kuvendit mbetet i fokusuar në ruajtjen e të drejtave të Kosovës mbi këtë kombinat. Nuk po them që kjo është e parëndësishme, por se një pjesë e debatit medoemos do të duhej fokusuar edhe në atë se çka fitojnë punëtorët; çka fitojnë kosovarët; dhe çka fiton kapitalisti i cili në mënyrë apo tjetër, do ti menaxhojë përfitimet nga ky kombinat.

Nuk po them që kombinati duhet tu kthehet 100 % punëtorëve. Por  besoj se, në këtë kontekst,  edhe interesat e kapitalistit duhet të diskutohen haptazi e jo te kamuflohen prapa debateve etnike dhe nacionaliste mbi Trepçën.

Madje, ndoshta tingëllon ironike, por sipas gjitha gjasave pavarësisht se kujt i takon (shtetit të Kosovës apo Serbisë) me siguri se Trepça në fund do të jetë nën menaxhimin e koorporatës së njëjtë ndërkombëtare. Pra derisa ne merremi me çështje virtuale si kombi e etnia, kapitalisti është duke i bërë planet për përfitim.

Si duket Trepça përfundimisht do ti takoj Kosovës, dhe kjo është një gjë e mirë. Por jo pse unë kam rastisur në anën shqiptare por sepse Serbia si shtet, dhe një pjesë e konsiderueshme e serbëve, janë të ndikuar shumë më thellë nga nacionalizmi sesa shqiptarët e Kosovës. Rrjedhimisht, nëse Trepça do t’i takonte Serbisë kjo do të ishte shumë më shumë fitimprurëse për kapitalizmin e në dëm të punëtorëve dhe qytetarëve të tjerë. Kjo për shkak se nacionalizmi serb, si më i theksuar që është, është edhe mjet shumë me efikas në shërbim të kapitalistit.

 

Shpërndaje në: