“Tregime urbane të mbështjella në rollne”, ngacmim ngjyrash dhe gërshetim i tradicionales (Foto)
Pikturat e ekspozuara krijonin një lidhshmëri në mes vete sikur një melodi që zgjaste.
Gjithçka filloi më një papagall, tri vite më parë kur artistja Mimoza Studenica priste letra dhe i mbështjelltë ato si rollne.
Kurse sonte ajo ka arritur që jo vetëm të përfundojë papagallin, pikturën e parë të saj me teknikën e njohur si filigran në letër por edhe të sjellë piktura të tjera të cilat ngacmonin vizualisht artdashësit që kishin ardhur në hapjen e ekspozitës së parë personale të artistes “Tregime urbane të mbështjella në rollne”, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.
Kuratori i ekspozitës njëherësh edhe artist vizual dhe kritik arti, Lorik Sylejmani u shpreh se kjo ekspozitë e artistes Studenica, ka arritur që të sjellë jetë në Prishtinë përmes ngjyrave.
“Besoj që me këto ngjyra, me këtë llojllojshmëri ka arritur që t’i jap edhe një kolorit Prishtinës, të cilës për mendimin tim i nevojiten ngjyrat, i nevojitet pak më shumë dritë dhe Mimoza një gjë të tillë po i dhuron Prishtinës gjatë këtij muaji”, u shpreh ai duke theksuar se në total kjo ekspozitë përmban në vete 4 mijë rrollne filigrani me letër.
Llojllojshmëria e ngjyrave të përdorura në piktura i ka lënë mbresa edhe kritikut të artit Kamuran Gorancit. Ai për KultPlus, thotë se këto ngjyra pranverore po i japin jetë Prishtinës dhe Kosovës.
“Arti vetvetiu është kërkim, ne çdo herë si artist kërkojmë dhe eksplorojmë. Sonte ky gërshetim në njëfarë forme lidhet më atë se nëse ne veshim një rrobë të vjetër së bashku me një rrobë të re, me stil të ri e shohim se nuk konkurrojnë njëra me tjetrën por rrinë shumë bukur. Pra artistja na e ka dhënë edhe këtë që, elementet tona kombëtare gjithmonë janë prezente dhe mund të gërshetohen”, theksoi Goranci duke e kujtuar filigranin si një artizanat të vjetër i populluar edhe tek shqiptarët.
Pop art, manierizëm, surrealizëm, manga animime japoneze, maska dhe ritme afrikane, një filxhan me kafe, një trumbetë, papagall, janë disa nga prurjet që na i sjell artistja Mimoza Studenica, në tregimet e thurura urbane si dantellë të rimodeluar në letër filigrani. Pikturat e ekspozuara krijonin një lidhshmëri në mes vete sikur një melodi që zgjaste. The Beatels, Marilyn Monroe, Mick Jagger, Petty Kendis gjendeshin gjithashtu në mesin e 37 pikturave të ekspozuara.
“Interneti dhe eksplorimi në internet sot na jep një mundësi shumë të mirë prandaj edhe unë njëherë fillova duke hulumtuar pastaj duke prerë letra e kështu arrita që ti bëjë rrollne. Kështu që, mendova se çka mundem të arrij me këtë dhe fillova para tri viteve si diçka abstrakte mirëpo duke mësuar më shumë kam rënë në kontakt më një italiane e cila më tregoi se kjo teknikë shqip quhet filigran në letër dhe kështu fillova edhe unë”, tregoi për KultPlus, artistja fillimin e punës së saj duke kujtuar edhe punimin e saj të parë, papagallin.
Mirëpo sipas saj gjithë kjo punë ka qenë një kënaqësi shpirtërore për të dhe se nuk e kishte menduar që puna e saj do të ekspozohej. Duke kujtuar fillimet dhe duke parë punën e saj të ekspozuar artistja thotë se gjithçka në jetë mund të arrihet dhe mund të mësohet edhe nëse fillojmë nga zero, mjafton që të bëjnë atë punë me dashuri dhe të kemi durim.
“Punimet kanë të bëjnë me urbanizëm, me jetën e përditshme, me jetë të njerëzve, me muzikë, me sensibilitet. Kurse unë jam shumë e lidhur me muzikë ajo është pjesë e shpirtit tim. Prandaj pjesë të muzikës së viteve të 70-ta dhe 80-ta i kam ndërthurur si figura të njohura në këtë ekspozitë”, pohoi artistja Mimoza Studenica.
Një ekspozitë e tillë është hapur për herë të parë në Londër në vitin 1927 kurse ekspozita “Tregime urbane të mbështjella në rollne”, është e para në Kosovë më këtë lloj teknike artizanale. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 15 prill.