Trajneri Ilir Daja largohet nga klubi i Suharekës, FC Ballkani

Trajneri Ilir Daja largohet nga klubi i Suharekës, FC Ballkani

Loja me Feronikelin 74 mund të ketë qenë e fundit për Ilir Dajën në krye të ekipit të Ballkanit.

“Gazeta Express” nga burimet e saj mëson se trajneri shqiptar mund të ndahet nesër, ose në ditët në vazhdim këtë javë, me klubin nga Suhareka.

Të njëjtën e kanë thënë edhe faqja Fansat e Futbollit Kosovar në Facebook.

Sipas tyre, Daja do rikthehet në vendlindje për të drejtuar Dinamo Tiranën.

 

Daja e bëri historinë me ekipin Portokalli duke e fituar tri herë radhazi titullin e kampionit, ndërsa e çoi ekipin dy herë deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një sukses i jashtëzakonshëm ky.

Dhe tash, ish-trajneri i Skënderbeut dëshiron të largohet si triumfator nga Suhareka duke e lënë ekipin në vend të parë në Superligën e futbollit.

Gjithnjë sipas burimit të gazetës, Daja ua ka kumtuar drejtuesve të klubit vendimin e tij, i cili pritet të bëhet publik në ditët në vazhdim.

Disa mendojnë se epoka e Dajës tek Ballkani ka marrë fund, e të tjerë mendojnë se trajneri i suksesshëm shqiptar mund të japë ende kontribut në ekipin therandas.

Sidoqoftë, në ditët në vazhdim priten zhvillime në Suharekë.

Në javët e fundit u fol për një interesim të Partizanit të Tiranës për Ilir Dajën dhe kjo mund të ketë qenë njëra prej arsyet e largimit të tij nga Suhareka për ta përqafuar klubin kryeqytetas shqiptar.

Shpërndaje në: