Trajneri i Zvicrës: Xhaka është kapiteni im në Serbi

Trajneri i Zvicrës: Xhaka është kapiteni im në Serbi

Granit Xhaka do të mbetet kapiten i Zvicrës dhe për këtë e ka mbështetjet e plotë të tërë vendit helvetik, ka thënë trajneri i Zvicrës Murat Yakin.

Zvicra e hap fushatën kualifikuese kundër Bjellorusisë më 25 mars në Novi Sad të Serbisë, për shkak se UEFA ia ndaloi shtetit fqinj të Rusisë t’i luajë ndeshjet si vendas në vendin e vet për shkak të luftës në Ukrainë.

Trajneri Yakin u pyet nga gazetarët zviceranë nëse mesfushori nga Kosova do të mbetej kapiten për ndeshjen në Serbi.

“Ne e mbështesim Granitin 100%. Ai është kapiteni im. Ai është shembull dhe afron lojtarët pranë vetes brenda dhe jashtë fushës. Këto janë pritjet e mia për një kapiten. Unë jam shumë i lumtur që e kam atë në ekip”, tha Yakin për Xhakën.

Zvicra është në një grup me Kosovën, por nuk do të përballet me dardanët në mars, raporton Nacionale.

Më 28 mars, favoriti i Grupit I kualifikues e pret Izraelin, rivalin e drejtpërdrejt të Kosovës për vendin e dytë.

Përveç Xhakës, Yakin i ka ftuar edhe Xherdan Shaqirin dhe Andi Zeqirin për këto dy ndeshje kualifikuese.

Yakin u shpreh i lumtur me formën e Zeqirit këtë sezon me Baselin, të cilin nuk e kishte ftuar në Kupën e Botës 2022 në Katar.

“Pritjet në FCB (Basel) janë shumë të mëdha. Është argëtim t’i shikosh ata. Ata shënojnë shumë gola dhe janë në formë të mirë. Tani ne shpresojmë se ata mund t’i bartin cilësitë e tyre edhe në ekipin kombëtar”, shtoi ai.

Kosova dhe Zvicra nuk përballen deri në dy xhirot e fundit të fazës grupore, pra në shtator dhe nëntor.

Zeqiri, qëkur zgjodhi helvetikët duke ia shkelur zotimin që ia kishte thënë Kosovës, ka luajtur vetëm në katër ndeshje zyrtare në kombëtare helvetike.

Ai po luan tani për Baselin në Superligën zvicerane në huazim nga klubi i Premierligës Brighton.

23-vjeçari i ka bërë 14 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat për klubin zviceran.

Shpërndaje në: