Trajneri i Ukrainës: Shqipëria është në rritje
Kundërshtari është padyshim i fortë.
Ukraina ndodhet vërtet në luftë si shtet, por për kombëtaren e saj ky është një motivim më shumë për të fituar.
Trajneri I ekipit, ish-sulmuesi i madh i Dinamos së Kievit, Serhi Rebrov, gjithsesi, së pari flet për Shqipërinë, rivalin e parë në Ligën e Kombeve, duke I dhënë një vlerësim shumë të lartë.
“Mendoj se Shqipëria nuk pati fat me shortin e Europianit. Të gjithë rivalët ishin në një nivel shumë të lartë. Shqipëria u mbrojt shumë mirë në të gjitha ndeshjet. Gjithsesi, në fazën eliminatore shqiptarët luajtën me besim të madh në vetvete, kanë një ekip shumë të fortë. Të gjithë lojtarët luajnë në Europë, thuajse i gjithë formacioni luan në kampionatin italian. Do ta marrim shumë seriozisht këtë rival. Mendoj se Shqipëria nuk e ka treguar ende të gjithë potencialin e saj, që është shumë i madh”.
Ukraina padyshim që ka probleme dhe disa lojtarë mungojnë për shkak dëmtimi, por Rebrov nuk dëshiron të flasë për këtë, shkruan abcnews.
Ai e thotë qartë synimin e ekipit të tij.
“Çdo ndeshje për Ukrainën është shumë e rëndësishme. U kam thënë lojtarëve se nuk ka rëndësi se çfarë turneu është, apo edhe nëse është miqësore. Ne u kualifikuam në Europian falë ligës së kombeve. Djemtë e kuptojnë këtë gjë. Edhe pse këto janë ndeshje thuajse si miqësore, ne na japin një shans për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Do të marrim këtë turne shumë seriozisht”.