Trajneri i Shqiperisë: Luajtëm me shpirt dhe zemër, barazimi do të ishte rezultati real
Kombëtarja e Shqipërisë e nisi me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
“Kuqezinjtë” pësuan humbje në udhëtim kundër Polonisë.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “PGE Narodowy” përfundoi me rezultatin 1:0.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, i cili debutoi sonte me “Kuqezinjtë”, e vlerësoi këtë humbje si të hidhur.
“Një humbje shumë e vështirë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi Polonia ka luajtur edhe në Botëror. Megjithatë skuadra ka bërë gjithçka mirë, duke kuptuar gjithçka që duhej të bënte dhe shkuam deri në fund, duke luajtur shanset tona për të shënuar. Luajtëm me shpirt e me zemër. Fola me djemtë në pushim të ndeshjes dhe u kërkova të mbrohemi mirë e të luajmë fort. Donim pikë dhe pse jo të fitonim. Nuk e humbëm toruan dhe mendoj që në aspektin taktik e organizativ ishim siç duhet në fushë. Barazimi do të ishte më i drejtë, por kështu është futbolli”, tha fillimisht ai për “Supersport”.
Tutje, tekniku brazilian tha se ka vend ende për përmirësime.
“Zemra dhe shpirti që unë kërkoj, është ky. Në sensin organizativ, reaguam shumë mirë, por kemi shumë vend për t’u përmirësuar, pasi duam të luajmë me topin dhe të kontrollojmë lojën. Kemi për të korrigjuar diçka edhe në mbrojtje, por do t’i analizojmë të gjithë momentet e ndeshjes, për të parë se ku mund të përmirësohemi. Polonia është një skuadër që luan shumë me topa të gjatë dhe bëhet pak më e vështirë për t’u bërë presing atyre. Duhet ta korrigjojmë këtë aspekt. Luajtëm me Gjasulën para mbrojtjes, vetëm për të fituar duelet ajrore. Kishim përballë një skuadër shumë të fortë, por duhet të punojmë ende shumë, që të rritemi sa më shumë në presing”, shtoi 48-vjeçari.
Në fund, përzgjedhësi i Shqipërisë u pyet nëse duhej të rrezikonte më shpejt për të barazuar rezultatin.
“Nëse do të rrezikonim më shpejt, mund të ishim ndëshkuar me golin e dytë dhe mbyllej ndeshja. Këtu lojtarët u treguan të zgjuar, duke ruajtur ekuilibrat. Zëvendësimet ishin pak për të përfituar në 10-15 minutat e fundit. Ndoshta mund të kishim rrezikuar më shumë, por do të ishte rrisk edhe për të pësuar gol”, deklaroi Sylvinho.