Trajneri i Marokut: E merituam humbjen, do të kthehemi edhe më të fortë
Walid Regragui beson se skuadra e tij e meritoi humbjen nga Kroacia.
Maroku u mposht 2:1 nga Kroacia në ndeshjen e zhvilluar sot, të vlefshme për vendin e tretë në Kupën e Botës “Katar 2022”, shkruan Gazeta Express.
“Është një humbje e hidhur, por mendoj se është e merituar. Pamë një ekip që nuk u dorëzua. Do të kujtojmë shumë ndeshje, do të kthehemi më të fortë. Bashkuam vendin tonë për një muaj, të gjithë ishin të lumtur”, tha fillimisht Regragui pas ndeshjes.
“Do të duhet të kthehemi edhe më të fortë, njerëzit do të na presin. Jemi të lumtur në fund, jemi ndër katër skuadrat më të mira në botë”, shtoi përzgjedhësi i Marokut.
“Urime Kroacisë. Ata e merituan. Ata kanë shumë përvojë dhe një ekip të madh”, deklaroi 47-vjeçari.
Kujtojmë se Maroku është kombëtarja afrikane me suksesin më të madh të regjistruar në Kupën e Botës.