Trajneri i Lilles befason për Edon Zhegrovën: Tregon pikën e fortë dhe të dobët të reprezentuesit të Kosovës

Trajneri i Lilles befason për Edon Zhegrovën: Tregon pikën e fortë dhe të dobët të reprezentuesit të Kosovës

Trajneri i Lille, Bruno Genesio, ka vlerësuar cilësitë e sulmuesit të krahut, Edon Zhegrova, duke numëruar aspektet pozitive dhe duke treguar dobësitë e tij.

Ai tha se Zhegrova ka ambicie të mëdha dhe mund t’i arrijë ato vetëm nëse përmirësohet në disa fusha specifike.

“Ai punoi më shumë për atë që i kërkova. Por gjithashtu vazhdoi të bëjë atë që bën shumë mirë, shënimin e golave dhe të jetë vendimtar”, ka deklaruar Genesio, shkruan të mërkurën “lepetitlillois.com”.

 

 

“Ai po bën përparim dhe është në rrugën e duhur. Ajo që duhet të bëjë, dhe ai e di këtë, është qëndrueshmëria dhe përqendrimi”.

“Ai është i aftë të zhbllokojë situatat përmes driblimit dhe golave, por i duhet qëndrueshmëri. E di që ai ka objektiva për të shkuar shumë, shumë lart, dhe kjo është ajo që duhet të përmirësojë gjatë gjithë sezonit që objektivat e tij të arrihen”.

 

 

25-vjeçari Zhegrova nuk luajti në dy ndeshjet e para me Lille në Ligue 1 për shkak se ishte i suspenduar. Megjithatë, ai shënoi gol në ndeshjen e parë të edicionit aktual dhe ka realizuar tri gola në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

“Ajo që më pëlqen është se di të jetë vendimtar. Ai është i aftë për të shënuar gola. Ai ka cilësi dhe talent individual që e ndihmon ekipin. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme, është shumë i zoti dhe mund të lëvizë shumë shpejt me topin. Ai është një nga lojtarët që mund të bëjë diferencën menjëherë,” është shprehur më tej  Genesio. /Telegrafi/

Shpërndaje në: