Trajneri i Baselit e mbron Taulant Xhakën
Taulant Xhaka u dënua së fundmi me tetë ndeshje nga Federata Zvicerane pasi e goditi me kokë në gjoks futbollistin e Zurichut, Nikola Katic, që u konsiderua në stilin “Zidane”.
E futbollistit kosovar sot i ka dalë në krahë trajneri i Baselit, Heiko Vogel pas gjestit të pahijshëm të bërë në derbin zviceran.
Sipas tij, përfaqësuesi shqiptar është një shembull i mirë dhe se nuk duhet të gjykohet personaliteti i tij në bazë të një veprimi, shkruan “Gazeta Express”.
“Xhaka është një shembull i mirë, pasi mundohet t’i drejtojë dhe menaxhojë shokët e skuadrës në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Ai është një lojtar emocional dhe është e pafalshme ajo që e bëri. Ai e di këtë, por është njeri dhe të gjithë bëjnë gabime”, u shpreh trajneri zviceran para lojës së sontme me Fiorentinën në Ligën e Konferencës.
Ndonëse kërkoi falje për veprimin josportiv, ku fillimisht e kapi për fytyrë kundërshtarin Antonio Maschesano e më pas e goditi me kokë në trup edhe Nikola Katicin, Xhaka u dënua megjithatë rëndë.