Trajneri dhe ndihmësit e tij dolën pozitivë me Covid-19, basketbollisti u bë trajner i Pejës kundër Rahovecit
Dardan Berisha u kthye te KB Peja, por jo si lojtar. Ai e udhëhoqi Pejën si trajner në ndeshjen kampionale kundër Rahovecit, në palestrën “Mizahir Isma”, që u zhvillua të dielën. Ky duel, që i takoi xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në basketboll, u mbyll me fitoren bindëse të Rahovecit me shifrat 79:59. Për kapitenin e Pejës, Berishën, kjo ishte ndeshja e parë në karrierë si trajner, por ky post do të jetë i përkohshëm për të. Ai ishte i detyruar ta udhëhiqte Pejën në këtë ndeshje për shkak se si trajneri Dragan Radoviq, ashtu edhe ndihmësi i tij, Petrit Zeqiri, kishin rezultuar pozitivë në testet për koronavirus. Kështu që, nuk përjashtohet mundësia që Berisha edhe në ndeshjet e tjera të jetë trajner i Pejës, derisa të kthehen Radoviqi e Zeqiri. E, Berisha e ka pranuar se një situatë të tillë – që ai të jetë trajneri i Pejës – nuk e ka paramenduar, të paktën jo në këtë edicion.
“Vetëm kapiteni i klubit, në një situatë të tillë kur mungojnë dy trajnerët, ka të drejtën ta udhëheqë lojën. E, kur kësaj i shtohet edhe fakti që nuk kam mundur të luaj për shkak të lëndimit, atëherë isha trajner ndaj Rahovecit”, ka thënë Berisha për KOHËN. “Situata e papritur më obligoi ta bëja punën e trajnerit, të cilën nuk kam menduar se do ta bëja momentalisht. Fillimisht ishte e papritur, por duhej ta udhëhiqja ekipin. Mirëpo, po shpresoj që herën tjetër ta kem rolin e udhëheqësit në parket dhe jo jashtë tij”.
Për Berishën, kjo ishte ndeshja e pestë rresht që nuk aktivizohet te Peja për shkak të lëndimit. Megjithatë, ai është optimist i madh se në duelin e ardhshëm, atë kundër Ponte Prizrenit, të jetë në gjendje të luajë. Mbi të gjitha, ai shpreson ta ndihmojë Pejën për t’i dhënë fund serisë negative, pasi humbja ndaj Rahovecit ishte disfata e pestë rresht në Superligë. Aktualisht, Peja është e katërta në tabelë me 35 pikë të grumbulluara.
“Kjo ishte ndeshja e pestë që mungova për shkak të lëndimit dhe po shpresoj që prej duelit tjetër të jem i gatshëm për lojë. Natyrisht, shpresoj që edhe trajnerët të jenë të gatshëm për ta udhëhequr ekipin, sepse në të kundërtën do të më duhet të jem trajner, ndonëse dua të luaj. Gjithçka do të varet prej kësaj situate që është krijuar tani”, shtoi Berisha. “Prej ndeshjes tjetër pres paraqitje më të mira të Pejës dhe lojë më efikase. Është e rëndësishme ta ndalim këtë seri prej pesë humbjeve dhe të kthehemi te fitorja. Besoj fuqishëm në këtë”.
Berisha e pranoi se detyra e trajnerit ishte dukshëm më e vështirë sesa ajo e lojtarit. Si trajner, Berisha u tregua shumë i qetë gjatë tërë takimit dhe shtoi se aspak nuk i vinte mirë duke i shikuar bashkëlojtarët e tij në parket, që përpiqeshin për fitore ndaj Rahovecit. Madje, u mundua edhe t’u japë udhëzime gjatë tërë ndeshjes, por në fund Rahoveci u tregua ekip më i mirë.
“Unë nuk e kam përgatitur fare ekipin dhe as nuk kam stërvitur, për këtë arsye nuk mund të nervozohesha, por thjesht përpiqesha t’u ndihmoja edhe pse ishte shumë vështirë t’i shohësh bashkëlojtarët duke luftuar dhe mos të jesh në gjendje t’u ndihmosh brenda”, u shpreh Berisha, që nuk ka pasur kontakt me trajnerin Radoviq se si ta udhëheqë ekipin ndaj Rahovecit. “Përfundimisht, si trajner ishte më vështirë për mua, pasi si lojtar e kam situatën më shumë në dorën time dhe shumë gjëra varen prej meje. Nuk ishte lehtë për mua të qëndroja aty aspak”.
Te Peja, vetëm tre basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore kundër Rahovecit. Brandon Walters ishte më i dalluari me 22 pikë e 11 kërcime, AJ Walton pati 16 sosh, kurse Leroy Dendy shtoi 13 pikë e 11 kërcime, që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen. Darrell Davis, që u kthye te Rahoveci, ishte më efikasi me 30 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime, derisa Arian Qallaku realizoi 16 pikë. Me këtë fitore, Rahoveci është ngritur në kuotën e 37 pikëve dhe zë vendin e tretë në tabelë. Të dielën u zhvillua edhe ndeshja ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit, e cila u mbyll me fitoren e ekipit prizrenas, me rezultatin 93:83. Me këtë triumf, Ponte Prizreni ka forcuar pozitën e parë në tabelë me 39 pikë, një më shumë se Golden Eagle Ylli që është i dyti. Ndërsa, Vëllaznimi mbetet i fundit në tabelë me 30 pikë. Kjo humbje nga Ponte Prizreni ia ndërpreu Vëllaznimit serinë prej tri fitoreve rresht. Divine Myles (31) e Kwame Vaughn (27) ishin më të dalluarit te Ponte Prizreni, kurse Emmanuel Emogbo u veçua te Vëllaznimi me 20 pikë të shënuara, tetë kërcime e po aq asistime.
Superliga – 23
P. Prizreni – Vëllaznimi 93:83
Rahoveci – Peja 79:59
Trepça – S. Prishtina 80:85
Bashkimi – G.E. Ylli 66:81
1. P. Prizreni 23 39
2. G.E. Ylli 23 38
3. Rahoveci 23 37
4. Peja 23 35
5. Bashkimi 23 33
6. S. Prishtina 23 32
7. Trepça 23 32
8. Vëllaznimi 23 29