Trajneri dhe kapiteni i Dritës flasin para ndeshjes me Antwerpin në Conference League

Trajneri dhe kapiteni i Dritës flasin para ndeshjes me Antwerpin në Conference League

Drita do të përballet me Royal Antwerp nesër, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Conference Leagues.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Belgjikë, teksa ekipi gjilanas ka përfunduar seancën e fundit stërvitore.

Para ndeshjes, trajneri Ardian Nuhiu tha se e kanë analizuar aq sa kanë mundur Antwerpin dhe pret një ndeshje të fortë.

Do të jetë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari shumë serioz, stabil dhe me nje projekt serioz! Kemi analizuar aq sa kemi mundur kundershtarin nën udheheqjen e trajnerit të tanishëm. Ata luajnë futboll të bukur, skuadër kompakte dhe gjithashtu me individ cilësorë. Projekti që ata kanë, stabiliteti skuadrës, tradita e tyre dhe forca që ata kanë, do të jetë motiv për ne. Një mundësi e artë për futbollistët e mi për tu përballur me një ekip të fortë dhe për të treguar vlerat tona. Është sportive të besojmë dhe të provojmë të bëjmë gjëra të mëdha”, ishin fjalët e trajnerit Nuhiu.

Ndërkohë, kapiteni i klubit gjilanas, Ardian Limani tha se u duhet të jenë të kujdesshëm, pasi në këtë nivel nuk falen gabimet.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër, por ne kemi ardhur këtu me vetbesim të plotë se mund të marrim rezultat të mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo aspekt të ndeshjes, sepse në këtë nivel nuk falen gabimet. Jemi shumë të motivuar për të zhvilluar ndeshje të madhe nesër dhe kemi besim që do ti shfrytëzojmë mundësitë tona që do të na paraqiten në ndeshje. Kemi dy ndeshje dhe nëse nesër marrim rezultat të mirë, në Prishtinë do të jetë ndeshje e zjarrtë sepse do t’i kemi Intelektualët pas vetës, por fokusin e kemi së pari tek ndeshja e parë. Shpresoj që do të na ec gjithçka siç e kemi planifikuar”, deklaroi Limani.

Ndeshja e kthimit zhvillohet një javë më vonë, në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Shpërndaje në: