Tragjedia në Maqedoni: 15 të arrestuar në mesin e tyre edhe ish-zyrtarë shtetërorë

Tragjedia në Maqedoni: 15 të arrestuar në mesin e tyre edhe ish-zyrtarë shtetërorë

Mbi 20 persona janë të dyshuar, ndërsa 15 prej tyre janë arrestuar në lidhje me zjarrin që shpërtheu në diskotekën në Koçan, ku si pasojë humbën jetën 59 persona dhe 155 të tjerë u lënduan, raporton AlsatM, transmeton Periskopi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski bëri të ditur se në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, pjesëtarë të obliguar për sigurimin e ahengut, por edhe përfaqësues institucionesh si ish-sekretari i Ministrisë së Ekonomisë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

“Ka të dyshuar, më shumë se 20 persona. Rreth 15 persona janë në stacion policor. Një pjesë e të dyshuarve për shkaktim të kësaj ngjarje penale kanë ndërruar jetë, sipas dyshimeve që i kemi deri më tani nga aspekti i të dyshuarit”.

“Një pjesë janë në spital. 4 persona momentalisht kemi siguruar në spital, dy pjesëtarë të grupit muzikor, djali i pronarit të diskotekës dhe drejtues i personit juridik i cili e ka menaxhuar diskotekën. Një pjesë e personave të arrestuar të cilët momentalisht janë në stacion policorë, janë njerëz që kanë faj direkt në lidhje me këtë ngjarje penale sipas provave që i kemi mbledhur deri më tani. Gjegjësisht, është arrestuar një person i cili është organizator i ngjarjes”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

“Gjithashtu, të arrestuar janë edhe ish sekretari i Ministrisë së Ekonomisë, ish udhëheqës, mendoj se edhe aktual i një sektori në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë. Kemi arrestuar ish drejtor të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të punësuar në kuadër të Drejtorisë”, u shpreh tutje ministri.

Toshkovski konfirmoi gjithashtu se klubi i djegur nuk ka pasur licencë të vlefshme për punë dhe kjo, sipas tij, është e lidhur me korrupsion.

“Licencë legale për punë, kjo kompani nuk ka. Nuk dua të zbuloj më shumë detaje në atë drejtim pasi jemi në fazën shumë të herët në kuadër të kësaj procedure, por dua diçka të them, e ajo është se edhe kjo licencë, ashtu sikur shumë punë tjera në të kaluarën në Maqedoni, është e lidhur me ryshfet dhe korrupsion”, theksoi Pançe Toshkovski.

Ai gjithashtuy bëri të ditur se në ahengun e mbrëmshëm kanë marrë pjesë gjithsej 500 persona, ndërsa prej gjithsej 59 viktimave deri më tani 3 janë identifikuar 3 të mitur.

“Deri më tani janë konstatuar mbi 20 persona të mitur që janë lënduar dhe 3 persona të mitur kanë ndërruar jetë . Në diskotekë ka pasur diku, sipas informatave të para që i kemi, rreth 500 persona. Diku rreth 250 bileta janë shitur sipas informatave që i kemi fituar. Emrat e të ndjerëve, pas mbarimit të identifikimit do të dorëzohen te familjet. Shumica e viktimave janë identifikuar. Të gjithë trupat që kanë qenë në kuadër të ngjarjes janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes. Në gjendje kritike kemi 22 persona dhe një pjesë e këtyre personave do të transferohen në Turqi, një pjesë në Bullgari, një pjesë në Greqi dhe të njëjtëve do t’u jepet trajtim përkatës për mjekimin e tyre”, u shpreh tutje Ministri i Punëve të Brendshme.

Shpërndaje në: