Tragjedia në Koçan: Arrestohet ish-ministri i Maqedonisë së Veriut

Ish-ministri i Ekonomisë në Maqedoni të Veriut, Kreshnik Bekteshi, është shoqëruar për në stacionin policor për t’u intervistuar lidhur me zjarrin në Koçan, ka raportuar Alsat.
Ai është në mesin e 23 të dyshuarve për tragjedinë në klubin e natës ku humbën jetën 59 persona e shumë të tjerë u lënduan, transmeton Periskopi.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar të dielën se për këtë ndodhi duhet të ketë përgjegjësi, duke shtuar se “asgjë s’është më e rëndësishme se jeta e një të riu”.
“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova dhe theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësi dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.
“Të bashkojmë forcat, të mos sakrifikojmë më kurrë për përfitimin e individëve, asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e një të riu”, ka shtuar ajo.