Tragjedia në Gjakovë: Sot u jepet lamtumira e fundit tre fëmijëve që humbën jetën në Jabllanicë

Tragjedia në Gjakovë: Sot u jepet lamtumira e fundit tre fëmijëve që humbën jetën në Jabllanicë

Këto ditë kanë qenë të kobshme për tri familjet Morina, Rama dhe Mehmetaj në fshatin Jabllanicë të Gjakovës pasi humbën tre fëmijë të mitur, që vdiqën tragjikisht si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër/

Vdekja e Vetonit, Idealit dhe Ramës, ka tronditur Gjakovën dhe krejt Kosovën, ndërsa sot pritet t’u jepet lamtumira e fundit.

Familjarët kanë bërë të ditur se trupat e tre djemve do të varrosen sot në varrezat e fshatit Jabllanicë, në orën 14:00.

Bazuar në informacionet zyrtare, objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 vjeç dhe tjetri 13 vjeç – kanë qenë brenda kur janë zënë nga pllaka.

Objekti i shembur ka qenë ndërtesë e vjetër, e pabanuar, e mbetur pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Familjari i viktimave, Përparim Ademaj, ka thënë të dielën për mediat lokale se të rinjtë kanë dalë disa orë para incidentit për të luajtur së bashku, ndërsa familjarët e kanë zbuluar se ata kanë qenë në objektin e rrënuar nga dridhjet e telefonave, sa kanë qenë duke i kërkuar në rrethinë.

Sipas tij, kamerat e shtëpive në afërsi tregojnë se objekti i pabanuar është shembur rreth orës 16:35 të shtunën, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur pas gati gjashtë orëve.

Zyra e Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar dhe të gjitha njësitet tjera përkatëse të Policisë së Kosovës, dhe që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.

Shpërndaje në: