Tragjedia e Koçanit: Gjashtë pacientë që po trajtohen jashtë vendit janë akoma në gjendje kritike

Tragjedia e Koçanit: Gjashtë pacientë që po trajtohen jashtë vendit janë akoma në gjendje kritike

Pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku si pasojë e një zjarri në diskotekën “Pulse”, 59 persona humbën jetën e mbi 100 të tjerë u lënduan, situata e pacientëve që po kurohen po vazhdon të mbetet e rëndë.

Prej 115 pacientëve që po kurohen jashtë vendit, gjashtë nga ta janë në gjendje kritike, ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile, ndërsa nga e hëna e javës së ardhshme pesë pacientë priten të kthehen në Maqedoni.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se pacientët që do të kthehen, fillimisht do të pranohen nëpër spitalet e vendit, dhe më pas do të lëshohen në shtëpi.

“Pacientët me gjendjen më të rëndë janë dy në qendrën klinike në Lublanë, dhe 4 në akademinë ushtarake mjekësore në Beograd. Ata pacientë janë me gjendje më të rëndë. Planifikohet 1 lëshim prej spitalit nga Italia, nga Spanja 2 lëshime, nga Suedia një lëshim dhe 2 nga Austria. Këto janë të planifikuar, por nuk është definitive, përsëri të hënën do të ju njoftojmë“, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë, në Maqedoni të Veriut.

Gjendja e 54 pacientëve që po kurohen në Shkup është po ashtu e qëndrueshme dhe nga e hëna do të ketë lëshime të reja nga spitalet.

Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski tha se kjo betejë do të jetë e gjatë dhe nuk do të përfundojë për 1 apo dy javë.

Ai tha se teksa ulet rreziku nga djegiet dhe lëndimet respiratore, nga ana tjetër rritet rreziku nga infeksionet.

“Megjithatë përse nuk duhet të jetë moment i lëshimit. Pasi ashtu siç ulet rreziku nga djegiet akute dhe lëndimet respiratore, fillon të rritet rreziku nga infeksionet. Kështuqë beteja nuk përfundon, ajo ende ekziston dhe është e mundur që pacientë që ishin në gjendje të mirë, t’u përkeqësohet gjendja për shkak të rrezikut nga infeksionet. Atë që po e ndërmarrim në vend e ndërmarrin edhe kolegët jashtë vendit, janë analizat e rregullta toksikologjike dhe mikrobiologjike dhe monitorim të vazhdueshëm. Një shenjë se përse nuk duhet të rehatohemi është hospitalizimi i 6 pacientëve të rinj dje, prej të cilëve 5 janë në toksikologji”, tha ai.

Aktualisht në Shkup, 54 pacientët janë të shpërndarë në disa spitale, ku 27 prej tyre janë në qendrën klinike, 11 në spitalin “8 Shtatori” dhe 10 në spitalin “Shën Naumi i Ohrit”. Po ashtu, 6 pacientë janë të shtruar në klinikat private.

 

Shpërndaje në: