Tradhtia e shekullit: Ja çka bëri partia ‘e majtë’ që jepte shpresa të mëdha për popullin e varfër grek

Tradhtia e shekullit: Ja çka bëri partia ‘e majtë’ që jepte shpresa të mëdha për popullin e varfër grek

Aleksis Cipras dhe partia e tij premtonin që “shpresa po vjen” por më pas në mënyrë aktive e rimodeluan qeverinë si një fortë të djathtë.

Në janarin e vitit 2015, Aleksis Cipras (Alexis Tsipras) erdhi në pushtet si një i majtë radikal. Ai u zotua t’i hapte luftë oligarkisë greke, të mbahej ndaj teknokracisë së BE-së dhe jua rrasi ethet në bark investitorëve të krejt botës.

“Greqia po lë pas vetes austeritetin katastrofal, po lë mbrapa frikën dhe autoritarizmin, po lë mbrapa pesë vite poshtërimi dhe ankthi,” kishte proklamuar ai në ditën e zgjedhjeve më 2015.

Por, kaq ishte. Në katër vitet që pasuan, Cipras provoi dëshpërimisht ta bënte veten më të dashur për establishmentin që dikur betohej se do ta luftonte. Ai mbrojti oligarkët e vjetër dhe iu bashkua brezit të oligarkëve të rinj. Ai zbatoi masat e austeritetit në mënyrë aq brutale sa ministri gjerman i financave Volfgang Shoble (Schauble) e akuzoi që po e ngarkonte “barrën te njerëzit e varfër”. Dhe iu dha ledhë investitorëve ndërkombëtarë me premtime të mëdha për taksa të vogla dhe me viza të arta.

“Reformat janë si biçikleta. Nëse nuk i bën, rrëzohesh.” – i tha Ciprasi Financial Times-it.

Ekziston mendimi te shumë njerëz që transformimi i Ciprasit ishte i paracaktuar. Mes analistëve të së djathsës, ai portretizohet si një nënprodukt i politikave radikale të përplasura me realitetin e ftohtë: Cipras thjesht doli nga adoleshenca e Syrizas që mbante qëndrime konfrontuese. Mes analistëve të së majtës, ai u portretizua si rrjedhoja e paevitueshme e arkitekturës anti-demokratike të BE-së: Ciprasi s’kishte zgjedhje por thjesht të nënshtrohej – dhe ëndrrat e Syrizas vdiqën në mbërritje.

Por, kjo pikëpamje drastikisht e nënvlerëson pushtetin e Ciprasit si kryeministër dhe masën e madhe me të cilën ai vullnetshëm e flaku veten në skajin e largët të spektrit politik.

E vërtetë, rrethanat e kohës së tij si kryeministër nuk ishin të lehta: troika evropiane donte të jepte një shembull përmes Greqisë. Dhe kufizimet e kapitalizmit global ishin po ashtu të zorshme: sulmo fort oligarkët pronarë të anijeve, u paralajmërua Cipras, dhe ata thjesht do ta braktisnin vendin. Ne mund të ndjejmë empati me shumë vendime të vështira që vijnë kur merr një detyrë të lartë.

Por kurrgjë nuk justifikon dëbimin e familjeve të varfra nga shtëpitë e tyre. Kurrgjë nuk justifikon ankandin e shumë pjesëve të mëdha të tokës dhe detit për të ushqyer korporatat e mëdha, të tilla si ExxonMobil. Kurrgjë nuk justifikon kushtet e mjerueshme në kampet e emigrantëve në Greqi, ku kishte dhunë të tmerrshme seksuale, shkurtime “mjekësh, kontrollesh mjekësore, ushqimesh dhe bile edhe uji”. Dhe kurrgjë nuk justifikon shitjen e armëve te Mohammed bin Salmani, mbështetjen për Benjamin Netanyahun dhe blerjen e avionëve luftarakë nga Donald Trumpi.

Shkurtimisht, Ciprasi jo vetëm që kapitulloi para troikës, ose jo thjesht që i la idealet e tij radikale për një realizëm koti. Ai në mënyrë aktive rimodeloi qeverinë e tij si një forcë të së djathtës në skenën botërore.

Për shumë mbështetës të Syrizas, tradhtia ishte tepër e rëndë. Rezultatet te të rinjtë e Greqisë, baza historike e Syrizas, tregojnë për mbështetjen e partisë së qendrës së djathtë “Demokracia e Re”. Nga 16.5 për qind sa e kishin votuar më 2015, në vitin 2019 e votuan më shumë se 30 për qind.

Në muajin maj, Ciprasi bëri një përpjekje të fundit dëshpërimtare për të marrë mbrapsht këta votues duke iu ofruar një “paketë stimuluese” që shkurtonte taksat dhe ofronte bonuse pensioni – në thelb duke vjedhur programin e partisë rivale, Demokracia e Re. Por, kjo lëvizje veç sa e theksoi disonancën mes retorikës populiste të Syrizas dhe realitetit të saj parlamentar. Kur erdhi vakti për zgjedhje më në fund, të votoje për Demokracinë e Re të paktën i lejonte votuesit që ta zgjidhnin këtë disonancë – të ndjenin kthimin në realitet, sado i vrazhdë, nga festimi si në cirk i Ciprasit për rikuperimin joekzistent të ekonomisë.

Çfarë mësimesh mund të marrim nga trashëgimia e Syrizas?

Unë propozoj tri sosh – rreth politikave, partisë dhe politikës.

E para është që të mos kënaqim kundërshtarin politik. Një shpjegim i zakontë për rënien e partive të djathta në çerek-shekullin e fundit është paaftësia e tyre për të folur për brengat e djathtistëve. Por, Syriza tregoi se të imitoje të djathtën nuk e ndalon rritjen e saj. Përkundrazi, flirtimi i Ciprasit me militarizmin dhe neoliberalizmin i shkaktoi humbjen e identitetit thelbësor të partisë së tij, dhe trimëroi e fuqizoi rivalët e tij. Pse të mbështesim të djathtën Syrizë, pyetën shumë votues, kur mund ta kemi një të djathtë përnjëmend?

E dyta është si vijon: nuk duhet të investohen shpresat e një lëvizjeje në figurën e një politikane. Është një refren i rëndomtë në Greqi ai që thotë se “Ciprasi është Syriza”: ai është i vetmi që ka dinakërinë politike për të mbajtur të bashkuar faksione të ndryshme në të majtën greke. Por si piramida që rrënohet nga kryet, personifikimi i platformës së Syrizas e bëri politikën e saj tepër jostabile, tepër të varur ndaj drejtimeve që Ciprasi zgjedhte të mbështetej. Veç një parti që është mjaftueshëm e përtokëzuar në një lëvizje shoqërore – ku baza e piramidës mban kreun e saj përgjegjës – mund të mbetet e vërtetë ndaj parimeve themeltare, veçanërisht në një kontekst si ai i Greqisë.

Dhe i treti është mbajtja e flakës së rebelizmit gjallë. Ngritja në pushtet e Syrizas ndodhi me premtimet për ta sfiduar në formë kreative e kurajoze status quo-në. Votuesit e kuptuan se shansat për ndryshime radikale ishin të vogla – por i besuan Ciprasit që megjithatë të luftonte. Por kur në vend të kësaj, Syriza u bë tyxhare e padrejtësisë, ai shpirt i rebelizmit u humb, dhe baza e mbështetjes kollapsoi bashkë me të. /Periskopi

Shpërndaje në: