Torres: Do të vazhdoj të angazhohem që Kosova të bëhet anëtare e plotë në NATO

Torres: Do të vazhdoj të angazhohem që Kosova të bëhet anëtare e plotë në NATO

Kongresisti Ritchie Torres ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Ai është gëzuar këtij lajmi, derisa ka thënë se do të vazhdoj të angazhohet për anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO.

“Jam i kënaqur që shoh se Republika e Kosovës ka avancuar në një anëtare të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ka kaluar shumë kohë që Kosova jo vetëm të anëtarësohet në asamblenë parlamentare, por më e rëndësishmja, të jetë përfundimisht një anëtare e plotë e NATO-s. Duhet bërë më shumë – mbani mend fjalët e mia se unë do të vazhdoj të shtyj para përfshirjen e tyre të plotë në NATO”, ka shkruar Torres.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka falënderuar vendet anëtare që e kanë miratuar avancimin e pozitës së Kosovës dhe ka thënë se e ardhmja e vendit që udhëheq ajo është në NATO.

“Ky vendim do të garantojë se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në gjithë botën. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, bashkë me aleatët, që të avancojmë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Shpërndaje në: