Toronto, dalin nga spitali shumica e të lënduarve nga përplasja e avionit

Shumica e pasagjerëve të plagosur nga përplasja gjatë uljes së një avioni të linjës ‘Delta Air Lines’ kanë dolë nga spitali, tha të martën drejtorja ekzekutive e aeroportit të Torontos.
Vetëm 2 nga 80 pasagjerët që po udhëtonin nga Mineapolis për në Toronto po vazhdojnë të merrin trajtim mjekësor, pasi i mbijetuan mrekullisht përplasjes gjatë momentit të uljes së avionit, pasditen e së hënës. Pjesa më e madhe pësuan vetëm lëndime të lehta.
Avioni u ndal në pistë përmbys, e ndërsa u ul në pistë me mori flakë.
Deborah Flint, drejtorja ekzekutive e Autoritetit të Aeroporteve të Torontos, tha se 19 nga 21 të lënduarit kanë dalë nga spitali, por nuk dha detaje të mëtejshme për dy personat e mbetur.
Autoritetet thanë se vazhdojnë hetimet për arsyet e këtij incidenti. Komunikimi mes kullës dhe pilotit u duk se ishte normal dhe nuk është e qartë se çfarë nuk shkoi mirë në momentin që kur avioni po bënte uljen.
Në momentin e uljes, në aeroportin ndërkombëtar Pearson të Torontos binte borë dhe frynte erë me shpejtësi deri në 65 kilometra në orë, sipas Shërbimit Metereologjik të Kanadasë. Temperatura ishte në -8.5 gradë Celcius.
Peter Carlson, një ndër pasagjerët që po udhëtonte drejt Torontos për të marrë pjesë në një konferencë mjekësore, tha se ulja ishte “shumë e ashpër”.
“Papritur gjithçka u zhvendos dhe u gjenda kokëposhtë i mbajtur nga rripi i sigurimit”, tha ai kanalit televiziv CBS News.

Autoritetet kanadeze mbajtën dy konferenca të shkurtra për shtypin të hënën, por dhanë pak detaje. Avioni ishte i tipit Mitsubishi CRJ-900 të prodhuar nga kompania kanadeze Bombardier.
“Ndjehemi shumë mirënjohës që nuk pati humbje të jetës dhe vetëm lëndime relativisht të vogla”, u tha gazetarëve zonja Flint.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Delta, Ed Bastian shprehu në një deklaratë solidaritetin e të gjithë kompanisë me personat e prekur.
Përplasja është incidenti i katërt madhor në Amerikën e Veriut gjatë javëve të fundit. Një avion komercial dhe një helikopter i ushtrisë u përplasën pranë aeroportit kombëtar Reagan në Uashington, D.C., më 29 janar, duke vrarë 67 persona. Një avion transporti mjekësor u përplas në Filadelfia më 31 janar, duke vrarë gjashtë personat në bord dhe një tjetër person në tokë. Gjithashtu, më 6 shkurt, dhjetë persona u vranë nga përplasja e një avioni në Alaskë.
Përplasja e fundit madhore në aeroportin ‘Pearson’ ndodhi në 2 gusht 2005, kur një avion ‘Airbus A340’ që vinte nga Parisi rrëshqiti në pistë dhe mori flakë gjatë një stuhie. Të gjithë 309 pasagjerët dhe ekuipazhi i fluturimit 358 i kompanisë ‘Air France’ i mbijetuan përplasjes. /VOA