“Topi është në fushën e Rusisë…” – Paralajmëron Kaja Kallas përpara bisedës së re Trump-Putin

Rusia nuk dëshiron paqe në Ukrainë dhe nuk mund t’i besohet për të çuar përpara një qëllim të tillë, paralajmëroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas në prag të një telefonate të re mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, të cilën Evropa sigurisht që do ta ndjekë me vëmendje të madhe.
Rusia “do të shfrytëzojë këtë mundësi për të paraqitur të gjitha llojet e kërkesave, dhe ajo që ne shohim tashmë është se ata po paraqesin kërkesa që janë qëllimet përfundimtare”, tha Kallas të hënën pasdite pas një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme në Bruksel.
Komentet e saj janë një reagim ndaj përgjigjes jo të përkushtuar të Putinit ndaj propozimit të Shtëpisë së Bardhë për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, të cilin Kievi e ka pranuar tashmë, transmeton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Udhëheqësi rus ka kërkuar me ngulm që të sqarohen disa “nuanca”, duke përfshirë nëse do të vazhdonin furnizimet perëndimore me armë dhe municione.
“Pra, gjatë këtyre 30 ditëve do të vazhdojë mobilizimi në Ukrainë? A do të furnizohen armë atje? A nevojiten këto 30 ditë që njësitë e sapomobilizuara të trajnohen? Apo nuk do të ndodhë asgjë nga këto”, pyeti ai javën e kaluar në një konferencë për shtyp.
Putin foli gjithashtu për një zgjidhje për të adresuar ato që ai i quajti “shkaqet rrënjësore” të luftës, një term që ai shpesh përdor për të kërkuar çmilitarizimin e Ukrainës dhe një angazhim për neutralitet, të cilat Kievi i kundërshton me vendosmëri.
“Topi është në fushën e Rusisë. Ajo që ne shohim tani është se Rusia nuk dëshiron vërtet paqe. (Aty) ishte mirëkuptimi rreth tryezës se Rusisë nuk mund t’i besohet vërtet”, tha Kallas të hënën.
E pyetur nëse Evropa do të ftohej në bisedimet e udhëhequra nga SHBA, Kallas tha: “Siç e shohim, nuk ka tavolinë bisedimesh sepse Rusia nuk po vjen në tryezën e bisedimeve”.
Kęstutis Budrys, ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, i cili mori pjesë në takimin e së hënës, tha se barra e lëshimeve duhet t’i vihet agresorit.
“Ne kërkojmë nga Ukraina një pozicion të pakushtëzuar kur shohim kaq shumë kushte nga ana e Putinit dhe ne shohim qëllimin e vërtetë”, tha Budrys pas mbërritjes.
“Nuk ka vend për paqe në planin imperialist të Putinit, kjo është e qartë dhe këto veprime tregojnë më shumë se fjalët për veten e tyre”. Shtoi Budrys.
Homologia e tij finlandeze, Elina Valtonen, shprehu një mesazh të ngjashëm.
“Përpjekja e vërtetë e presidentit Trump për të arritur paqen nuk duhet të keqpërdoret nga Putini për të dobësuar më tej Ukrainën, dhe për t’u rikthyer me agresion në një moment në të ardhmen e afërt”, tha ajo.
Skepticizmi ndahet nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili i ka përshkruar parakushtet e Putinit si “shumë të parashikueshme dhe “shumë manipuluese”.
Zelensky vuri në dukje raportet e ngritjes ushtarake ruse përgjatë kufirit me rajonin Summy, në verilindje të Ukrainës, si dëshmi “të qarta” se Putini ka për qëllim “injorimin e diplomacisë” dhe “zgjatjen e luftës”.
“Kjo tregon një qëllim për të sulmuar”, tha Zelensky gjatë fundjavës.
Trump, në të kundërt, u shfaq më optimist teksa njoftoi synimin e tij për të zhvilluar një telefonatë me Putinin të martën, të cilën Kremlini e ka konfirmuar.
“Ne do të flasim për tokën. Do të flasim për termocentralet”, tha Trump të dielën, duke shtuar se negociatorët kishin diskutuar tashmë “ndarjen e aseteve të caktuara”.