Top pesë reperët që vishen më së keqti në estradën kosovare

Top pesë reperët që vishen më së keqti në estradën kosovare

E vështirë se dikush do të pajtohet me ju, të paktën jo dikush që është i familjarizuar me kulturën e hip-hopit, nëse thoni se veshja nuk ka rëndësi dhe se reperët duhet të shikohen e dëgjohen vetëm për atë që servojnë përmes artit dhe jo për mënyrën si duken.

Fundja, industria e modës ka qenë jashtëzakonisht e ndikuar nga zhvillimet në hip-hop ndër vite dhe me daljen në skenë të artistëve si Kanye West, impakti i hip-hopit në diktimin e trendeve globale të veshjeve ka qenë edhe më i madh.

Ortodokse apo jo, dukja, veshja, aksesorët e shtrenjtë, janë gjëja e parë që u shkon në mendje ta përmirësojnë reperët pasi të bëhen ‘mainstream’ dhe pasi të fillojnë të fitojnë ca para.

Nëse jeni reper dhe visheni keq, thjesht i lë një shije paksa të hidhur vetes tënde si projekt dhe platformë për të tërhequr fansa.

Shija juaj në muzikë duhet të reflektojë edhe në pasqyrimin e figurës së jashtme dhe për mënyrën si e zotëroni veshjen. ‘Rrjedh ose fundosu’ (Drip or Droën), siç thotë Gunna.

Më poshtë, ju sjellim listën me top pesë reperët që vishen më së keqti në estradën kosovare.

Shënim: Lista është përpiluar në diskutime me dizajner profesional, i cili ka dashur të mbetet anonim për arsye komerciale, dhe në asnjë moment nuk përfaqëson qëndrime redaktoriale të Periskopit.

5. Buta

Buta fatkeqësisht është legjitim për këtë përmbledhje të padëshiruar për mënyrën si e menaxhon çështjen e rrjedhjes (në vend të ‘drip’ po e përdorim ‘rrjedhje’, sepse pse jo?) . Duhet theksuar se ai kurrë nuk do ta gjente veten në këtë listë, nëse nuk do të fliste me entuziazëm aq të theksuar në repturat e tij në lidhje me rrobat dizajnër. Nëse do ta dëgjonit një këngë të tij, pa e pasur ndonjë ide se si duket realisht, do të mendonit se ai është thjesht definicioni i ‘Zotit të rrjedhjes’ (drip lordit). Nuk është se duket keq, por thjesht rrëmujë sa i përket përzgjedhjes së brendeve dhe riveshjeve të rrobave të njejta në projekte të ndryshme. Mund ta shohim rëndom në dy apo tri paraqitje publike me rrobat e njëjta.

Për më tepër, përzgjedhja e brendeve që bën është paksa ‘outdated’ dhe jo relevante me kohën aktuale. Zakonisht është një hap prapa me atë që është duke ndodhur me modën në hip-hop globalisht.

Veshjet e brendeve si ‘Stüssy’, ‘Gosha Rubchinskiy’ dhe ‘Carhartt’ janë në rregull, por jo për të treguar ‘muskuj rrjedhjeje’ (në vend të ‘flex’ po e përdorim ‘muskuj rrjedhjeje’, sepse PSE JO?) me to. Shumë e thjeshtë, ne përdorim veshje e mbathje të markave si ‘Nike’ dhe ‘Under Armour’, por ato nuk futen në mesin e brendeve me të cilat dëshironi ta shihni duke u mburrur reperin tuaj të preferuar, i cili e konsideron veten si ‘ikonë e modës’. Ok, Gosha është e pranueshme për audiencën e fiksuar pas modës, por jo për t’i dhënë përmasa reklameje siç bën Buta në shumicën e paraqitjeve të tij në rrjetet sociale.

Për më tepër, tendencat e tij për t’i bërë ‘Supreme’ dhe ‘Bape’ sikur diçka të jashtëzakonshme dhe që nuk janë konsumuar masivisht në vitin 2016/17, kur tashmë artisti kishte filluar t’i përdorte, ato veç kishin dalë nga kuadri i asaj që konsiderohej ‘cool’ dhe bota e hip-hopit kishte vazhduar në gjëra të reja më inovative.

Një detaj tjetër i cili na bindi ta fusim në këtë listë, janë përzgjedhjet e tij në mbathje. Një rrëshqitje e lehtë në llogarinë e tij në Instagram, iu bind të hamendësoni se artisti qartazi beson se gjëja më interesante aktualisht janë ‘Air Force 1’, e në përgjithësi ‘Nike’, e që në fakt janë zgjedhja më nonshalante dhe ‘go to’ për njerëzit që nuk kanë kurrfarë intuite për të ndjekur modën. Jo që nuk është e pranueshme, por thjesht është tejet e mërzitshme për dikë që vazhdimisht nëpër këngët e tij flet për modën dhe e paraqet si pikën e tij më të fortë.

Vetëm analizoni foton e mëposhtme… po futemi në vitin 2022 dhe njeriu mendon se ende janë flutur (në vend të ‘fly’ po e përdorim ‘flutur’, sepse… tashmë po e dini) trenerkat me ngjyrë të kuqe ‘Adidas’. Sinqerisht plako, të admirojmë për atë që reprezenton dhe për kontributin tënd në kulturën dhe thyerjen e tabuve në hip-hopin kosovar, por është e pamundur të mos nënvizojmë përzgjedhjet e tmerrshme që i bën në disa raste, jo gjithmonë.

4. Majk

Nëse po kërkoni pak inspirim dhe motivim për të bërë një kombinim ‘cool’ të dukjes, Majk është ndër të vetmit që kurrë nuk duhet ta konsideroni si opsion.

Vetëm analizoni foton e mëposhtme dhe e kuptoni për çka e kemi fjalën. Në fakt, ai duket krejtësisht njeri tjetër në klipe artistike. Postimet e tij në Instagram nuk është se tregojnë anën e errët të tij rreth modës, por një analizë e thjeshtë e përzgjedhjeve të tij nëpër video dhe e kuptoni sa degradues është.

3. Geasy

Geasy është definicioni i personit që na bënë të kuptojmë se jo domosdoshmërisht gjërat e shtrenjta duken ‘flutur’. Pavarësisht se një dekadë para Butës vishte ‘Bape’, kohëve të fundit atë e kemi parë të transformuar në diçka që është e vështirë ta shohim, sidomos kur e mendojmë atë që Geasy reprezentonte dikur në çdo sferë të hip-hopit. Po flasim këngë, veshje, vetura, femra, e gjëra të tilla, por gradualisht ai ka filluar ta distancojë veten nga ajo që ishte dikur, duke marrë një rol më ‘babi’ kohëve të fundit.

Sidoqoftë, ‘babi’ është edhe Hova e Ye (Jay Z dhe Kanye), por të qenurit të tillë nuk i ka bërë ata ta humbin sensin e dukjes dhe modës.

Geasy të jep ndjesinë se është i obsesionuar pas modës italiane, por kjo e fundit asnjëherë nuk ka qenë diçka që është përqafuar nga komuniteti i hip-hopit globalisht, pavarësisht impaktit të jashtëzakonshëm që kanë italianët në diktimin e trendeve botërore.

Me një frizurë tejet antipatike, rruarje në pjesën e poshtme, bisht prapa, me ndonjë bundë ‘arusheje’ mbi vete, Geasy është reperi të cilin askujt nuk ia preferojmë ta shikojë si inspirim ditor për një kombinim të bukur.

2. Lyrical Son

Dorën në zemër, njeriu thjesht ka shije të tmerrshme rreth veshjeve. E kuptojmë qëndrimin modest që ai mund të ketë në raport me shumë gjëra por, të jemi të sinqertë, ai thjesht nuk ka shije… përndryshe, një palë rroba do t’i veshë dosido, kështu që nuk ka logjikë që ai të zgjedhë të duket keq para se të duket mirë, pa pasur probleme serioze për të kuptuar çka e bën një veshje të mirë, e çka të keqe. Ngritje kapelash për aftësitë e tij absolutisht të pakapshme si reper, por nëse flasim për atë që Singullari e quante në ditët e tij të arta, ‘cveg’, ai zë vendin e dytë në top listën e reperave që vishen më se keqti.

Me këmisha që nuk kanë vend e as kurrë nuk duhet të kenë në botën e hip-hopit, maica me jaka jashtë por të kombinuara në mënyrë të dobët me pantollona e këpucë të shëmtuara, do ta kishit gabim po të mendonit se Lyrical Sonit nuk i intereson për dukje. Ai sigurisht se dëshiron të duket mirë, por thjesht nuk ka kapacitete kreative më shumë se kaq sa i përket modës. Reper i jashtëzakonshëm, megjithatë.

1. Unikkatil

E vetmja gjë që i lë hije të keqe Unikkatilit si reper, është definitivisht veshja.

Gjithçka në rregull, impresionuese dhe fascinuese të themi kur jeni duke e dëgjuar, por në momentin që hapni dritaren në desktop ku keni lëshuar muzikën e tij dhe ia shikoni foton në sfond, thjesht iu bën të mendoni ‘çka e bën këtë njeri të vishet e duket kështu?’ Mendojmë, nuk është se ai nuk mund të mos i dijë gjërat deri në këtë pikë… i rritur në Prishtinë, shkollën e mesme në ‘Sami Frashër’, jeton në Amerikë por oh Zot i madh, ajo paraqitje në ‘Fadil Vokrri’ në vitin 2012. Ato syze absolutisht të tmerrshme dhe kapelet të ‘harruara’ që nga koha e G-Unit, por jo edhe për Katilin, i cili – dorën në zemër – do të teprohej nëse edhe do të vishej mirë.

Sidoqoftë, nëse mendoni se atij nuk i intereson për dukje dhe veshje, e keni shumë gabim. Në performancën e tij në ‘Fadil Vokrri’, ai u ndërrua në mes të performancës, duke dalë me garderobë tjetër, për të dështuar përsëri mjerisht.

Kapelet e tij të gjëra ‘NY’ të kthyera me një anë, në harmoni me syzet që ia mbulojnë gjysmën e fytyrës, dhe me këmishat me katrorë e aksesorët tjerë, të japin një produkt final të denjë për etiketimin që populli shpeshherë preferon ta përdorë, ‘selaqki’. Oh edhe një gjë rreth Katilit, kurrë, KURRË në jetë nuk do ta falim për performancën e tij play-back në Prishtinë kur e gjithë shqiptaria i kishte kthyer sytë nga ai, e po priste të shihte diçka të paparë më herët, sidomos për faktin se paraqitjet e tij publike deri në atë pikë kishin qenë të pakta ose fare të themi. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: