Tmerruese: Në Kosovë nuk luhet futboll, matjet tregojnë gjendjen mjeruese të kualitetit të Superligë

Tmerruese: Në Kosovë nuk luhet futboll, matjet tregojnë gjendjen mjeruese të kualitetit të Superligë

ifozët e futbollit në Kosovë mund të konsiderohen si më besnikët, jo për faktin se janë në numër të madh, por se zgjedhin të përcjellin (shumica nga TV) futbollin vendor edhe në nivelin e tij aktual infrastrukturor, por edhe cilësor, ndonëse lehtë mund të kthejnë sytë kah Premier League, Serie A, Bundesliga e La Liga.  Kemi tribuna të mbushura në maksimum 20% të mundshëm, terrene me lloç dhe ritëm futbolli që ndihmon shumë për personat që kanë telashe me gjumin.

Sikur të mos mjaftonte infrastruktura e dobët dhe cilësia jo e kënaqshme në futbollin vendor, muajve dhe viteve të fundit veshi i tifozëve është ngarkuar me akuza të shumta të trajner-analistëve të futbollit vendor, të cilët kohë pas kohe insistojnë se çështja e titullit të kampionit në Kosovë vendoset shumë më herët sesa pesë xhirot e fundit. Dhe kur thuhet kjo, sigurisht se nuk nënkupton sigurimin e titullit në aspektin matematikor të shkëputjes së ndonjë skuadre me pikë, por insistohet në ekzistimin e marrëveshjeve të pazareve jashtë fushave të blerta. Pra, lloçit dhe futbollit të zymtë i shtohet edhe ideja se fati i X takimit është i vendosur paraprakisht, sipas Taulant Gashit nga lajmi.net.

Tifozët mungojnë, para nga biletat nuk ka, infrastrukturë nuk ka. Lidhja zinxhirore/ciklike e këtij problemi të trefishtë (infrastrukturë-cilësi-tifoz) ka anën pozitive. Çështja qëndron mbi atë se me përmirësimin e të parës, vjen përmirësimi te e dyta dhe rrjedhimisht bëhet gjendja më e mirë te tribunat, që më pas ndihmon pikën e parë. Krejt çka duhet është vullneti për të nisur përmirësimin.

Klubet kosovare të futbollit, ose krerët e shtabit teknik, për kritikat për lojë monotone gjithmonë kanë drejtuar gishtin kah gjendja e stadiumit, duke insistuar se në terrene të tilla nuk mund të ketë lojë të shpejtë, atraktive. Një pyetje që do të mund të shtrohej është se, me kë flasin trajnerët, para se të nënshkruajnë kontratën e tyre? Mbi çfarë projekti bazohen, nëse jo mbi projektet elementare që sigurojnë terren për stërvitje dhe ndeshje të kampionatit?

Ata (trajnerët) që i duartrokasin një grusht tifozësh prej 20 personave, dhe nuk mërziten për të gjetur arsyen e mungesës në tribuna për pjesën tjetër të adhuruesve të futbollit, shtyjnë skuadrat e tyre drejt një loje monotone, qoftë me dëshirë ose jo. Në ndeshjet e futbollit kosovar, sipas matjeve të lajmi.net, gati gjysma e ndeshjes qëndron e paralizuar me ndërprerje prej më të ndryshmeve.

Matja 1: 27/11/2021: 27/11/2021: Ulpiana – Prishtina (pjesa e parë kronometron 46 minuta, nga të cilat vetëm 29 minuta topi qëndron në lëvizje brenda vijave të fushës. Kurse, fundi i ndeshjes shkon deri në minutën e 96’ të takimit. Nga 96 minuta të kronometruara në këtë ndeshje, sipas matjeve të lajmi.net. luhen vetëm 56 minuta aktive, me topin në lëvizje brenda vijave të fushës së blertë.

Shqetësuese për këtë matje është fakti se Prishtina për një pjesë të madhe të ndeshjes ishte në epërsi prej dy golave, dhe nevoja për të ruajtur epërsinë në mënyra ‘të tjera’ nuk ishte e madhe. Kjo lejoi një futboll më aktiv, duke bërë që të regjistrohen 56 minuta aktive.

Matja 2: 25/11/2021: Drita – Gjilani (pjesa e dytë kronometron 50 minuta, nga të cilat vetëm 25 minuta e 14 sekonda topi ishte në lëvizje brenda vijave të fushës), gjithnjë sipas Taulantit Gashit.

Shqetësuese sa i përket matjes së dytë është fakti se në pjesën e dytë të derbit më të madh në futbollin kosovar, u luajt vetëm 50% e aksionit në dispozicion. Kjo ishte pjesa e ndeshjes kur u vendos gjithçka rreth fituesit, dhe ishte më e rrjedhshme sesa pjesa e parë (për të cilën nuk ka matje konkrete).

Sa i përket këtij sezoni, fakt shqetësues i përbashkët është ai se zhagitjet nuk ndodhin vetëm nëpër përballjet që konsiderohen si ‘më të rëndësishmet’ (shembull derbi i Gjilanit), por ndodh edhe nëpër ndeshjet ku mund të identifikohet favorit në letër.

Kurse, një matje e tretë, e bërë në sezon paraprak, ku Prishtina dhe Feronikeli, në një ndeshje që vendoste shumëçka për titull, regjistronte vetëm 22 minuta aktive në pjesën e parë. Shtimi i kësaj matjeje flet për një problem më të thellë. Problemi nuk qëndron te sezoni aktual, por duket të jetë një “kulturë” e futbollit vendor në Kosovë.

I pyetur për këtë problem, dhe ndikimin e këtyre zhagitjeve në tribunat boshe nëpër stadiumet kosovare, trajneri i Malishevës, Arsim Thaçi ka drejtuar gishtin edhe kah gjyqtarët e Superligës së Kosovës, të cilët sipas tij nuk duhet të lejojnë një gjë të tillë.

“Çështja e zhagitjes së lojës nuk është profesionale, ndikon negativisht në cilësi dhe futbollin përgjithësi, zhagitjen e bëjnë ekipet me të dobëta, por për me ik kësaj, duhet të jetë referimi i nivelit më të lartë, ngase ndonjë refer që e vëzhgon më mirë ndeshjen, nuk të lejon zhagitje, pra kjo çështje ka të bëjë edhe me cilësinë e referëve dhe të klubeve”, tha Thaçi për lajmi.net.

I njëjti beson se kjo zhagitje e tepërt ndikon direkt në mungesën e tifozëve nëpër tribunat e stadiumeve.

“Kur loja zhagitet, krijohet një lloj monotonie dhe kjo ndikon negativisht qoftë te tifozët, qoftë te aspekti profesional. Pra, përveç që ndikon te tifozët që shohin ndeshjen, ndikon edhe të cilësia”, ishin fjalët e trajnerit të Malishevës.

Për të njëjtin problem, lajmi.net ka marrë një mendim edhe nga ish-lojtari i Drenicës, Taulant Dajaku, tashmë analist i futbollit vendor. Dajaku, përkundër trajnerit të Malishevës që peshën e vë mbi gjyqtarët, beson se janë pikërisht trajnerët ata që duhet t’i thirrin mendjes për këtë problem.

“Mendoj se të dhënat thonë se maksimalisht futboll aktiv është 37 minuta (në Kosovë) dhe kjo vjen nga mungesa e theksuar e strategjisë së lojës. Do të thotë, është shumë e vështirë të konstatosh se si një ekip ka fizionominë e lojës, prandaj ky është një argument që duhet të shqetësojë trajnerët më shumë, sepse është alarm për ndryshim të konceptit se si duhet të zhvillohet loja, pasi që vetëm presioni për sukses, pa një plan, prodhon një lojë të shëmtuar dhe kjo ndikon në atë që tribunat e stadiumeve të jenë të zbrazura, dhe do të jenë derisa nuk do të shohim një lojë atraktive”, ka thënë Taulant Dajaku për lajmi.net.

Pesha kryesore sa i përket këtij problemi bie mbi klubet, të cilat pranojnë kritikat e tifozëve që nuk shkelin shkallët e stadiumit, dhe rrjedhimisht nuk japin kontribut në ekonominë e skuadrës lokale, e cila kësisoj nuk mund të investojë për një infrastrukturë që do të mund të mundësonte futboll më atraktiv. Niveli infrastrukturor në futbollin kosovar do të duhej të nxiste edhe një debat tjetër. A i duhet Kosovës vërtetë një stadium nacional, apo FFK në bashkëpunim me MKRS do të ishte më mirë të ndihmonin skuadrat kosovare të rinovojnë stadiumet e tyre për të plotësuar së paku kriteret minimale të kërkuara nga UEFA?

Shpërndaje në: