Tmerri i Mustafit vazhdon edhe te Schalke, trajneri e kritikon hapur: Nuk jam i kënaqur me paraqitjen e tij
Trajneri i Schalkes, Christian Gross ka pranuar se nuk ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e parë të qendërmbrojtësit Shkodran Mustafi për ekipin e tij.
Mustafi që iu bashkua Schalkes në afatin kalimtar të janarit, debutoi vikendin e shkuar në ndeshjen kampionale kundër Leipzigut, të cilën Schalke e humbi me rezultatin 3:0.
Mustafi në këtë ndeshje ishte i pazëvendësueshëm te Schalke, përkundër që me ekipin e ri nuk e kishte zhvilluar asnjë stërvitje.
“Unë nuk jam 100 për qind i kënaqur me performancën e tij, por me angazhimin e tij. Ai provoi gjithçka. Stabilizoi mbrojtjen dhe dha shumë udhëzime por kjo nuk mjaftoi”, u shpreh Gross që pret më shumë nga Mustafi në ndeshjet tjera. “Për të ardhmen, ai padyshim është transferimi i duhur dhe jam i bindur për këtë. Ai ka personalitet dhe do të na ndihmojë shumë”.
Gross tha se mori vendim për ta futur Mustafin në lojë pa asnjë stërvitje për shkak të përvojës së tij. Mustafi te Schalke u transferua si lojtar i lirë pasi shkëputi kontratën me Arsenalin.