TikTok rikthehet në SHBA
Rreth 12 orë pas ndalimit në Shtetet e Bashkuara, TikTok është rikthyer për shumë përdorues, pothuajse sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke ia atribuar kthimin një vendimi të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për të shpëtuar aplikacionin, raporton CNN.
TikTok mirëpriti përdoruesit me një njoftim që thoshte: “Faleminderit për durimin dhe mbështetjen tuaj. Si rezultat i përpjekjeve të Presidentit Trump, TikTok është rikthyer në SHBA!”.
Ky veprim i papritur për të rikthyer aplikacionin ndodhi pasi TikTok u bë i papërdorshëm për amerikanët të shtunën vonë në mbrëmje. Përdoruesit që përpiqeshin ta hapnin aplikacionin në atë kohë, merrnin një mesazh që thoshte se aplikacioni ishte offline dhe u kërkohej të “prisnin për informacione të tjera.”
“Një ligj që ndalon TikTok është miratuar në SHBA. Për fat të keq, kjo do të thotë se nuk mund ta përdorni TikTok për momentin” – thuhej në mesazhin e TikTok-ut.
Gjithashtu, aplikacioni nuk ishte i disponueshëm as në Apple dhe Google Play store, së bashku me aplikacionet Lemon8 dhe CapCut, të cilat gjithashtu janë në pronësi të kompanisë mëmë me bazë në Kinë, ByteDance.
Të dielën në mëngjes, Trump tha se do të nxirrte një urdhër ekzekutiv pas inaugurimit të tij të hënën për të shtyrë zbatimin e ligjit që kërkon ndarjen ose ndalimin e aplikacionit. Brenda pak orësh, qasja në aplikacionin dhe faqen e internetit të TikTok filloi të rikthehej për përdoruesit në SHBA.