Tifozi dardan me shqiponjë në plis reciton vargjet e këngës “Ushton Gryka e Kaçanikut”
Tifozi dardan Hysen Haxholli që jeton në afërsi të Sevillës së Spanjës një kohë të gjatë ka shkuar pranë hotelit ku janë vendosur lojtarët e Kombëtares së Kosovës për t’iu dhënë zemër për ndeshjen e sotme.
“Sot erdha këtu që t’i shoh trupat dardanë që mbërritën, por iu duhen edhe pak krahë që të fluturojnë. Erdha me e pa Dardaninë që e kam në zemër edhe e dua shumë”.
Haxholli me plis të bardhë në kokë që e ka shqiponjën kuqezi ka thënë për Klan Kosovën se spanjollët e dinë mirë domethënien e tyre.
“Këtu pyesin se çfarë domethënie kanë, por në anën tjetër e dinë edhe më mirë se çka do të thotë shqiponja dhe qeleshja e parë të cilën populli shqiptar e bart me mijëra vjet. Këta e dinë mirë kush jemi ne”.
Ai tha se këtë plis që mban një stemë me shqiponjë e ka marrë në Krujën e Gjergj Kastriotit dhe e shëtit gjithë botën me të.
Ai ka thënë se pret që lojtarët e Kombëtares së Kosovës të japin më të mirën e tyre sonte në fushë.
“Në fushë këta djem duhet të vdesin për të fituar sot kundër Spanjës. Kur hyn në fushë duhet të vdesësh (në kuptim figurativ dhe sportiv) për fitore”.
Këtë lidhje të drejtpërdrejtë nga Spanja ai e përmbylli në një mënyrë unike duke recituar vargjet e këngës “Ushton Gryka e Kaçanikut”
Kosova si mysafire do të përballet me Spanjën nikoqire sonte nga ora 20:45 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.