T’i shpëtojmë panikut, stop spekulantëve!

T’i shpëtojmë panikut, stop spekulantëve!

Shkruan: Nga Ben Andoni

Këto orë të vështira për të gjithë Shqipërinë, bashkëkombësit e saj dhe shumë miq të huaj kanë provuar sesa ka të bëjë eupatia por mbi të gjitha ato vlera që ne kujtojmë se po shuhen me globalizmin.E çmuar ajo që po bëjnë shqiptarët dhe kosovarët, për t’u vlerësuar është angazhimi ndërkombëtar dhe mbi të gjitha punonjësit e kërkim-shpëtimit, që edhe me mjete të kufizuara, kanë punuar me shpirt, sakrificë dhe profesionalizëm. Ndërkohë, ka një ankth për të gjetur dhe nxjerrë sa më shpejt numrin e të vdekurve, që ka krijuar një gjendje paniku te njerëzit, kjo për shkak se në komunitete të vogla si në Thumanë, njerëzit janë të paktë dhe shumë të ndjeshëm për bashkësinë. Kjo, mbase, edhe pse bëhet në emër të informimit, duhet të kufizohet pasi e ka rritur shumë ankthin në vend dhe mbi të gjitha pasigurinë.

Ndërkohë, në media flitet për një lloj konfuzioni në pjesën ku njerëzit regjistrohen në Durrës e Thumanë, shkojnë për të gjetur mbështetje dhe më shumë akoma për të ndarë ndihmat. Në një media, gazetari i terrenit ishte i bindur në raportimin e tij se ishte një çorganizim total, kurse pak minuta më vonë, në një hapësirë tjetër, Kryeministri i vendit do të pohonte se kishte një lloj mosakordimi të strukturave të ndihmave dhe mënyrës se ku shkonin ato, por kjo sipas tij ishte sepse ende këto struktura ishin shumë më të pakta sesa sasia e madhe e ndihmave që po vinin në Shqipëri. Dhe, kjo kuptohet se është pozitive. Kjo e fundit mbase është kthesa e parë ndaj panikut.

Ajo që të vjen ndërmend në këto situata, është që së pari duhet t’u vihet fre spekulantëve të ndryshëm dhe sidomos një pale të njerëzve që përhapin panik për interesa meskine (ata që e bëjnë me qëllim realisht duhet të ketë penalitete). Është e vërtetë se situata me goditjet e njëpasnjëshme të tërmeteve po shkakton një lloj pasigurie dhe frike, por nga ana tjetër ajo edhe mund të justifikohet, teksa për spekulantët dhe ata që do të shfrytëzojnë momentet e vështira me ndihmat meritojnë ndëshkime. Shqipëria kaloi disa situata të tilla, në fillim të viteve ’90, pastaj me ngjarjet e dhimbshme që kulmuan me ardhjen e kosovarëve dhe me përmbytjet problematika të tjera, në vitet në vazhdim, shumë më të vogla.

Në të gjitha situatat, Shqipëria i ka njohur fytyrat e spekulantëve dhe sesi një pjesë e tyre dolën të pasur nga situata të tilla, por në një rast të tillë realisht duhet t’u vihet fre. Fillimisht nga vetë qytetarët, që duhet të jenë shumë cinikë dhe me njerëzit e panikut dhe sidomos me një palë që qesëndisin për masat e marra, për përfoljen e banesave etj. Do ketë instanca dhe kushte për ata që i krijuan dhe i konstruktuan këto ndërtesa, që rezultuan kaq të dobëta. Dhe, jemi të pafuqishëm para fenomeneve të tilla natyrore, por jemi të fortë nëse jemi bashkë për të ndihmuar njëri-tjetrin ta kalojmë këtë tmerr. Ndaj, t’i shpëtojmë panikut, stop spekulantëve!

Shpërndaje në: