“Ti do të jesh e imja. Do jesh me mua me zor”, Luana Vjollca rrëfen si përndiqej nga i riu nga Kosova
“Ti do të jesh e imja. Do jesh me mua me zor”. Ky është një ndër qindra mesazhet që fansi 29-vjeçar i ka dërguar me e-mail moderatores Luana Vjollca. Prej afro një viti, që kur aplikoi për të marrë pjesë në audicionet e një emisioni që do të drejtohej nga Luana, por u anulua për shkak të pandemisë, Ajdin Morina ka përndjekur vazhdimisht drejtuesen e “Shiko kush luan”.
“Kam gjeneralitetet e përshkruara më lart dhe jam me punë autore dhe moderatore te “Top Channel” prej 14 vitesh. Më parë kam bërë kallëzim në lidhje me një shtetas, i cili quhet Ajdin Morina.
Ky shtetas më ka shqetësuar shumë me përndjekje dhe aktualisht është në proces gjyqësor dhe nuk është mbaruar, akoma nuk është marrë ndonjë vendim Gjykate në lidhje me kallëzimin e parë. Shtetasi Ajdin Morina ka qenë dje te zona ku unë banoj, brenda rezidencës ku unë jetoj, ka kërkuar të futet te hyrja e kompleksit, por duke qenë se unë i kisha porositur punonjësit e Policisë private nuk e kanë lënë.
Më parë i kisha bërë me dije që ky shtetas më shqetëson me përndjekje dhe nuk e kishin lënë të futej.
Shtetasi në fjalë ishte larguar, nuk e di pas sa kohësh, kishte kërkuar të takohej me mua duke thënë: “…jam fans dhe nuk largohem pa takuar Luanën”. Sot, më datë 01.02.2021, rreth orës 14:20, ka qenë përsëri te puna ime në “Top Channel”, ka tentuar të futet të hyjë dhe përsëri security nuk e kanë lënë të futej. Unë i kam vënë në dijeni që shtetasi më ka shqetësuar dhe se nuk duhej ta linin të futej.
Ky person më ka dërguar disa e-mail-e prej një viti, duke më vënë në shqetësim të madh. Shtetasi Ajdin Morina fillimisht më ka shkruar në “Instagram” dhe i kam bërë bllok.
Tani më shkuan tek e-mail-i punës i vendosur në “Instagram”-in tim.
Ky person më dërgon e-mail-e me tekst: “Ti do të jesh e imja. Do jesh me mua me zor”.
Më ka terrorizuar. Kam frikë, si për vetë, ashtu edhe për familjarët e mi. Ky person është bërë problem për mua dhe se nuk po më lejon të jetoj jetën time në mënyrë normale, duke u detyruar të marr në punë truprojë që më shoqëron çdo ditë, ngaqë më ka shkaktuar ankth dhe frikë duke më përndjekur për një vit rresht. Jam paraqitur këtu në Polici për të bërë kallëzim penal, siç e pasqyrova më lart, pasi ndihem e rrezikuar dhe e kërcënuar, shprehet Luana në denoncimin e saj.