Thirrja nga BE: Kosova urgjentisht ta themelojë Asociacionin – prej kohësh e ka detyrim

Thirrja nga BE: Kosova urgjentisht ta themelojë Asociacionin – prej kohësh e ka detyrim

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që “urgjentisht” ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Është urgjentisht e nevojshme që të përmbushet ky detyrim”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Por Qeveria po refuzon që ta dërgojë në Kushtetuese draftin e BE-së për Asociacionin, duke kërkuar nga BE-ja që atë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias.

Në anën tjetër, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Asociacioni i pakëson të drejtat e qytetarëve serbë në Kosovës dhe assesi e kundërta.

“Në fakt, sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston tani në Kosovë, me Kushtetutën aktuale, me ligjet e pakos së Ahttisarit dhe me ligjet e tjera që ne i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut”, ka thënë presidentja për Zërin e Amerikës me 10 korrik.

“Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve, dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit – të cilët Vuçiç për momentin e ka për qëllim t’i kontrollojë dhe në një njëfarë mënyrë ta bëj Kosovën shtet jo-funksional”, vlerësoi ajo.

Vitin e kaluar, BE-ja ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim, por që më vonë kryeministri Kurti, e vlerësoi si “non-paper” këtë draft-statut.

Kosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, i mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një ditë para takimit në Strasburg, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja, tetorin e vitit 2023.

Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

Shpërndaje në: