Thellohet skandali i abuzimit me hormone, fermerët “Brenda 10 orësh, marrim 23 tonë shalqi”
Javët e fundit, në redaksinë e “Fiks Fare” kanë mbërritur dhjetëra ankesa dhe foto për cilësinë e domateve. Sipas tyre, domatja është e pakonsumueshme, pasi fermerët përdorin hormone. Nisur nga këto ankesa, gazetarët e këtij emisioni bënë një vëzhgim të thjeshtë, duke shkuar drejtpërdrejt te fermeri, duke i bërë një pyetje të thjeshtë: ”Përdorin apo jo hormone?”. Fillimisht ata pyetën një agronom në Lushnje, se te cilat sera të drejtoheshin për domate pa hormone. Agronomi pohoi se në të gjitha serat përdoren hormone dhe ngjyrues, madje jashtë normave.“Hormoni lejohet në të gjithë botën, porr te ne, nga kati i parë duan ta çojnë në kat të pestë bimën”, shprehet ai.
Në Fier-Shegan, një shitëse tregon se, edhe pse i shet, vetë nuk konsumon asgjë nga ato që tregton. “Nuk fus në shtëpi as kastravec, as domate. Nuk ia vlejnë, pasi fermerët abuzojnë duke u hedhur 4- fishin e normës. Kastravecit ia hedhin ilaçin te rrënja dhe është shumë i dëmshëm për organizmin”, tregon ajo.
Në fshatin Kozarë të Kuçovës, një fermer thotë se në të gjitha serat që janë në fshat, askush nuk ka domate “pa hile”. “Nëse i do për fëmijë, mos merr. Nuk bëjnë, ose vetëm t’i sëmurësh me duart e tua”, i drejtohet ai gazetarit. Ndërkohë që të gjithë fshatarët kanë sera dhe kanë mbjellë në to domate, por askush nga ata vetë nuk i konsumon. “Unë jam fshatar vetë, por kam frikë t’i ha”, pohon një fermer. “Filloj e ha nga fundi i majit kur ngrohet koha dhe piqen natyralisht”.
Pas domates, shalqiri është produkti i dytë mbi të cilin abuzohet më shumë. Një punonjës tregon se brenda 10 orëve nga pjekja e shalqirit, për një ditë u bënë 23 tonë shalqi. Kur gazetari e pyet nëse edhe shijen e kishte si një frutë normal i shalqirit, që piqet në kushte normale pa hormone, punonjësi i serës shprehet se vetëm shije që nuk ka. “Është diçka e rritur me stimulues, piqen nga jashtë, brenda janë…”, shprehet ai. Ajo çka të bën përshtypje në bisedën e tij është përdorimi pa kriter i hormoneve, “sa edhe bima vetë po ta këpusësh nxjerrë lëng të kuq si gjak”, pohon punonjësi i fermës në Lushnje./TOP CHANNEL