Thellimi i skandalit me Martin Berishajn – Çka tha para dy muajve kur u pyet nëse shkuan pare te Kurti e VV’ja
Para disa ditësh, u rikthye furishëm tema e ambasadorit Martin Berishaj. Kësaj radhe, u raportua për thellim skandali, i cili i doli në pah në prill të vitit të kaluar, ku dyshohet se ishte përfshirë në një aferë korruptive prej 600 mijë eurove.
Së fundmi, informacionet janë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë marrë para nga Martin Berishaj për kampanjat e tyre të fundit elektorale, ka thënë Luka Persh, gazetari nga mediumi online Prava.si.
Në një hulumtim të tij, ai zbuloi se nuk bëhet fjalë mijëra, as për qindra mijëra, por për miliona euro në një skemë të kësaj kompania e cila duke përdorur degët e veta nëpër Ballkan, kryesisht Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Shqipëri, ka shpërlarë para. Brenda skemës dhe si lojtar periferik ishte edhe Martin Berishaj.
Në një pjesë të shkrimit të tij, Persh shkruan se një shumë e caktuar parash nga ato që mori Berishaj, përfunduan në kampanjë elektorale në Kosovë, saktësisht tek Lëvizja Vetëvendosje dhe te Lista Guxo.
E për komunikimin me krerët e shtetit, i pyetur në komision parlamentar të Kosovës, Martin Berishaj gjatë intervistimit para dy muajve kishte deklaruar se asnjë mjet financiar nuk kishte shkuar as te Kurti, as te Osmani e as te Rizvanolli.
‘’ “Jo, nuk kam pasë sepse të gjitha komunikimet me kryeministriat, ministra, janë në mënyrë protokulare të shkruar ashtu siç duhet por as me gojë nuk kemi folë për atë çështje. Ato mjete nuk kanë përfundu as te kryeministri Kurti, as kërkun, nuk janë investuar dhe nuk kanë shkuar”, ishte përgjigja e Martinajt.
Ngrihet kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj
Hetuesit e Policisë së Kosovës para tre javësh kanë ngritur kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kallëzimi penal kundër tij është dorëzuar në Prokurorinë Speciale treguan burime të KOHËS dhe thanë se pas hetimit preliminar të nisur muaj më parë, dyshimet janë që Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.
Paparaci: Martin Berishaj mori para edhe nga një tjetër kompani serbe
Paparaci ka zbuluar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka pranuar mijëra euro prej një kompanie energjetike serbe, përveç GEN-it nga Beogradi.
Paratë janë tërhequr nga vetë ambasadori Berishaj përmes kompanisë “MB Consulting” më 2016. Janë plotë 39 mijë e 600 euro.
Mediat kroate raportojnë për skandalin e Martin Berishajt
Tabloidi kroat “Index.hr“, ndër më të lexuarit në Kroaci, ka raportuar të mërkurën për skandalin financiar në Slloveni ku është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili dyshohet se ka pranuar 600 mijë euro nga kompania energjetike sllovene GEN-I, dega në Beograd.
Këshilltar në GEN, u kap me mediat, luajti bamirësin: Krejt çka dëgjuam para dy muajve nga Berishaj në komision
Berishaj fillimisht mohoi skandalin, duke e quajtur shpifje, pastaj pak u mor me media e gazetarë që raportuan, e pranoi se ishte këshilltar në kompaninë GEN, e madje tentoi të kallëxohet bamirës si dhe na bëri me dije se i pengoi termi ‘sekser’.
Mediat sllovene, në fillimvit kishin raportuar se ambasador Martin Berishaj dyshohet se i ka bartur 600 mijë euro para kesh nga kompania e tij në Mal të Zi, tek politikani slloven, Robert Golob. Sipas tyre, në xhirollogarinë MB Consulting, pronar i së cilës figuronte Berishaj, i ishin derdhur nga një kompani serbe, në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj./PERISKOPI/