Thaqi: Drita nuk kishte fat ndaj Trepçës ’89
Drita ka pësuar humbje nga Trepça ’89 me rezultat minimal 1-0.
Ka qenë një ndeshje e dominuar nga skuadra gjilanase me raste, por në fund ishin vendasit që ndalën tre pikët në shtëpi.
Trajneri i Dritës, Arsim Thaqi pas ndeshjes ka thënë se skuadrës së tij i mungoi fati, pasi krijuan shumë raste shënimi.
“Në këto kushte e këto rrethana, edhe futbolli është kësisoj. Kushtet ishin të vështirësuara, nuk na lejuan të ishim ata që jemi në të vërtetë”.
“Trepça ’89 e shfrytëzoi një moment dhe shënoi gol. Ne krijuam shumë raste dhe futbolli i sjellë edhe këto gjëra. Është ndeshja e parë, dhe në ndeshjet e para nuk ka favorit”.
“I jap komplimente Trepçës ’89 për përgatitjen e fushës pasi kishte bërë maksimumin. Fusha ishte jo e nivelit më të lartë, por kjo nuk është arsyeja që pësuam në këtë ndeshje”.
“Na mungoi fati, kur topi ishte deri në vijën e portës. Momenti vendimtar ishte goli që pësuam. Ne bëmë përpjekje maksimale, por tani duhet të mendojmë për ndeshjet tjera”, theksoi Thaqi pas ndeshjes.