Thaçi nuk u lejua ta vizitojë babanë, deklarohen nga Gjykata Speciale

Thaçi nuk u lejua ta vizitojë babanë, deklarohen nga Gjykata Speciale

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka deklaruar se klientit të tij nuk iu është lejuar vizitë në Kosovë për arsye se babai i tij është i sëmur.

“Babai i klientit tim Hashim Thaçi është mjaft i sëmurë dhe është kthyer në spital. Ne kishim kërkuar që Hashim Thaçi t’i jepej një lirim i shkurtër dhe i mbikëqyrur për ta vizituar për arsye humanitare. Prokuroria e Specializuar kundërshtoi dhe gjyqtarët e mohuan vizitën”, tha Mishetiq.

Këtë deklaratë, Mishetiq e beri në rrjetin social “X” por që lidhur me këtë “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar qëndrim nga ana e Zyrës për Informim të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Përmes një përgjigje me shkrim, ata kanë thënë se kërkesa e Thaçit ishte bërë me 28 janar 2025 dhe se atëherë gjendja e babait të ish-presidentit nuk ishte ajo që po raportohet tani në media.

“Në kohën kur kërkesat e zotit Thaçi u bënë më 28 janar, pothuajse dy javë më parë, siç pasqyrohet në kërkesat, rrethanat e babait të zotit Thaçi ishin të ndryshme atëherë çfarë raportohet në media sot”, thuhet në përgjigjen e DhSK-së.

Lidhur me çështje specifike se pse nuk është lejuar Thaçi të vijë në vizitë në Kosovë, nuk kanë folur nga Specialja.

Megjithatë atë thonë që deri më tani janë lejuar 12 vizita humanitare në Kosovë duke përfshirë dy të Thaçit.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt sot (9 dhjetor).

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Shpërndaje në: