Thaçi dhe lufta
Askush në Kosovë nuk ia pa hairin luftës më shumë se presidenti aktual. Rrethanat e luftës mësyjnë ta homogjenizojnë shoqërinë dhe prandaj e pamundësojnë njëfarë dinamike brenda grupimit luftues ku do të duhej të mirëkuptohej nevoja për pozicionim. Të shfaqësh ambicje në kohën kur duhet idealizëm e vetësakrificë përbën akt tradhtie. Duket kështu. Kjo është në kuadër të ekonomizimit të pushtetit të grupit që shkaku i rrezikut nga jashtë, nuk i toleron përçarjet. Kësisoj, kërkesat për nivelin përfaqësimor janë të vogla, ashtu si kërkesat për vlerat e individëve përfaqësues. Lufta për pushtet mes individëve e nëngrupeve është e pakonceptueshme dhe bash për atë arsye bën që njerëzit rastësorë, pa kurrfarë vlerash e cilësish, të dalin në sipërfaqe. Një prej tyre ishte Thaçi.
Mes një ambienti të përbërë nga Azem Syla, Jakup Krasniqi e të ngjashëm, mes një ambienti të mbytur nga idealizmi – e i cili nuk donte as të shihte e lëre më të mirëkuptonte ambicjen individuale – Thaçi u bë drejtor politik i UÇK-së. Më pas, kryetar i partisë më të madhe të dalë nga lufta. E pas një dekade, kur ndodhën ato që ndodhën pas vdekjes së Rugovës, u bë edhe kryeministër e më vonë president.
Nuk besoj që prapa ndonjë veprimi politik të Thaçit fshihet ndonjëfarë zotësie. Unë besoj që ai është një analfabet funksional, që mes shumë analfabetësh tjerë funksionalë, ia doli mbanë të rrëshqiste drejt asaj që nuk bënte të konceptohej. Dikush mund të thotë: qysh është e mundur të bëhesh kryeministër e më vonë president, duke qenë krejt i paaftë? Epo, unë e besoj një gjë të tillë. Merreni shembullin e Rugovës [nuk po them që ky i fundit ishte i paaftë]. Ai nuk bënte thuaj asgjë për të administruar pushtetin që e kishte si president, por ia dilte mbanë t’i fitonte zgjedhjet bindshëm ndaj partisë së Thaçit. Vazhdimisht e vazhdimisht. Në Kosovë, rasti ka një funksion shumë të rëndësishëm në skemën politike. Të qëllosh i afërm i dikujt, të qëllosh afër dikujt, të jesh në një vend të caktuar – është tepër me rëndësi.
Në dekadën e fundit u krijua një shprehi e keqe në të analizuarit e politikës ditore: çdogjë që ndodh e nuk ndodh, iu atribuohet liderëve vendorë. Çdo event politik graviton rreth tyre. Kjo në fakt, e bën të rëndësishëm edhe pozicionin e vetë analistëve dhe opinionistëve. Nëse ngjarjet ditore nuk do të kishin aktorë, atëherë analiza nuk do të bënte për televizion, konsum.
Kësisoj, çdo vendimi politik që këta politikanë merrnin, sado i kotë e i parëndësishëm, lidhej me njëfarë prapavije. Në fakt, kjo mënyrë e të menduarit, ka lëshuar rrënjë dhe është harlisur në çdo studio televizive, në çdo hapësirë gazetash, dhe në çdo hapësirë publike/politike. Thaçit e Veselit iu atribua faji/merita për përçarjen e Vetëvendosjes, për ndarjen e LDK-së, për dobësimin e partive më të vogla, e për gjithçka tjetër. E sesa inkonsistent ishte ky diskurs, e pamë te Albin Kurti, i cili në një anë akuzonte për të këqijat që ia kishte shkaktuar vendit, dhe në tjetrën pikërisht Thaçin e quante një të padijshëm që s’dinte t’i shkruante as fjalët më elementare.
Thaçi nuk është as aq i zoti, e as aq i ligë sa mendohet. Nëse ka diçka të keqe te ai, është pazotësia në të menduar, injoranca. Nuk dua ta lidhë këtë qëndrim me racionalizmin etik të Sokratit që thoshte se ai që nuk dinte nuk mund të ishte as i mirë. Në fakt, dua thjesht të shqyrtoj mënyrën sesi konceptohet kjo lloj zotësie. Mendoj se është krijuar vetiu një ide e përçuditshme, që e keqja lidhet me një tip të caktuar të dijes/zotësisë. Me një shpurdhje të mençur në prapavijë, në terr, ku nuk shihet asgjë. Kjo sepse, vetë rendja pas pushtetit individual është zhvendosur në terr, duke qenë e padurueshme në dritë. Kësisoj, nëse je i ligë domosdo duhet të jesh edhe i ditur. Pra, ende jemi përbrenda diskursit etik abrahamik të së mirës dhe së keqes që burojnë nga njeriu, si një entitet i ngurtë eleatik që është thjesht ai që është. Normalizimi i ambicjes, luftës së individëve për pozicionim social e politik, do të bënte që njerëzit të zhvillonin e më pas zbulonin zotësitë e tyre. Ky terren që nuk lë vend për ambicjen, që zhvillon instinktin e të barabartëve, bën që niveli përfaqësimor të mbushet me budallenj, të tipit të Thaçit, të tipit të organizatave studentore, të organizatave të ndryshme joqeveritare, e të ngjashëm, që përfitojnë pikërisht duke i fshehur zotësitë e tyre në terrin ku është degdisur ambicja.
Veprimet e fundit të Thaçit i përgjigjen zakonshmërisë së tij, të cilat as nuk ia ulin e as nuk ia rrisin popullaritetin. Ai para disa vitesh kishte thënë se nuk kishte “kapur kurrë pushkë me dorë” ndërsa sot tha se kërcënimeve të Serbisë, Kosova do t’i përgjigjet “me pushkë”. Ai e ka bërë të përbuzshme partinë e tij, e ka bërë të përbuzshme luftën, e ka bërë të përbuzshme çdo fjalë që thotë, aq sa ata që merren me politikën ditore i rreken sajimit të një prapavije për ta kuptuar më mirë. Kjo sepse, iu dhemb të kuptojnë se po merren me një budallë. Të kuptojnë se në majë të pushtetit politik kjo shoqëri i ka vendosur pikërisht budallenjtë.
Kësaj duhet t’i shtohet edhe diçka tjetër: shoqëria jonë, duke qenë ende rezistuese ndaj edukimit, ka kultivuar një lloj simpatie të madhe për budallenjtë. Ajo mund t’i shajë publikisht, por në ambiente private i simpatizon ata që nuk dinë të shkruajnë, të lexojnë e të mendojnë. Me mosdijen e tyre ata prodhojnë gajasje të çiltër. Dhe kur një i tillë, arrin të përvidhet në ndonjë punë të lakmueshme, në një pozicion të lakmueshëm social, atëherë në bazë të afërsisë që kanë me të, ata e shohin me simpati e dashamirësi. Shoqëria jonë është ende budallë-dashëse. Ndoshta sepse budallallëku në vetvete është njëfarë hapësire rehatie. Kjo vërehet në cinizmin mbi çdo idealizëm e kauzë. Mbi çdo tip kulture. Te nevoja e madhe për t’u zbrazur nga çdo lloj besimi dhe për t’u zhytur në çdo lloj argëtimi.