Terrorizimi i trurit me nusen e djalit të Shyhretes
Tani pashmangshëm jemi duke ecur me trendin e mediave në glob. Ama, përafërsisht, shumica u ngjajmë tabloideve. Por na mungon një Kim Kardashian, e cila do të ishte konsistente në informacione. Kim me familjen e saj janë prezentë në TV-të amerikane që nga viti 2007. Me sojin e dokumentarit ‘soap opera’ të titulluar ‘Keeping Up with Kardashians’, atë janë burim i majmë informacioni i lajmeve rozë. Shto këtu edhe historinë e vetë Kimit. Por ne, në mungesë të një Kimi, krijojmë Kimët e aty-për-atyshëm. Si më gjatë në skenë qëndroi Kallashi. Por interesimi rreth prapanicës së saj dhe dridhjes së kohë pas kohëshme në një x klub nate, nuk duken më informacione taze, sado fare pranë me kohë të ketë ndodhur ngjarja.
Tani na duhen idole të reja që ta freskojmë shoë bizzin tonë të mjerë.
Zonja dhe Zotërinj, ju prezantojmë Leartën.
Personazhi ynë ‘ad hoc’ për ta mbuluar rubrikën e shoë bizzit. Se sa qesharakë dhe të mjerë dukemi, tregojnë edhe fjalitë si nisin lajmet për ‘renë e Shyhretes’, megjithëse kjo është një temë në vete.
“Me rastin e kanagjegjit…”, nis një lajm. Pra, mungesa e fjalorit, na i bën lajmet si thirrje për mbledhje komemorative.
Learta është një vajzë të cilën nuk e njohim askush për çka ka bërë në jetë. Por vetëm ‘reja e Shyhretes’. A nuk mjaftohen me kaq talamusët dhe hipotalamusët tonë në tru? A nuk janë informacione të bollshme këto? Ajo ka rastisur të jetë nusja e djalit të Shyhrete Behlulit dhe mos bëzëni.
Njihuni me garderobën e saj të shtrenjtë. Me dallamin, me natën e kanagjegjit, ditën e dasmës, bijat e Behlulëve nëpër kerre e në dritare. E gjithë estrada në dasmën e Behlulëve. Prisni vetëm pak…A keni parë ndonjëherë këso lloj temenaje (një lëvizje e pakontrolluar e domosdoshme e nuseve si nënshtrim ndaj masës përballë).
Fotografitë e bollshme nga dasma e pasur e ‘resë së Shyhretes’ na krijojnë gjithë pasqyrën e mbështjellur me glamur dhe mjerim, nënshtrim dhe përbuzje.
Një bilbil i muzikës popullore, papritur rikthehet në skenë me renë e saj. E përqafon, e do…Dëshiron të depërtojë me informata në çdo medium, sikur të ishte Adem Grabovci rozian. E ka kuptuar se me vlera, në këtë vend nuk je në qendër të vëmendjes. Krejt çka bën, është vendosja në kapacitet e gjithë artilerisë mediatike: Instagram, Facebook e çkamos. Dallame, dimia, ‘jelekë’. Këpuca, vallëzime, temena.
Kur lexon lajme se sa shumë e do reja Shyhreten, pse e paska përqafuar, duket sikur po flasim për një fenomen i cili nuk paska ndodhur kurrë në Kosovë. Në brendi të lajmit, ke një përqafim normal të dyshes. A keni pritur që ta godiste shuplakë vjehrrën Shyhrete, e dashura re?
Me siguri, nuk kanë përfunduar të gjitha informacionet nga dasma e Behlulëve. Të fundit, janë pamjet kur bashkëshorti i Shyhretes gjuan para si ‘pi aj em pi’ (pimp) mbi nusen (një traditë e njohur tek ne dhe shoqëritë e prapambetura në përgjithësi).
Po ta kisha biografinë e Shyhrete Behlulit, të paktën deri në kohën kur i ka pasur flokët e zeza, do të kisha turp nga ajo çka lexoj dhe shoh përreth.
Dhe nuk do të lejoja që nga familja ime të dilnin informacione se çka kishte edhe në dhomën e gjumit të fëmijëve të mi, natën kur u martuan.
Truri im është terrorizuar tashmë nga budallakitë e dasmave që i kemi përjetuar shumë nga ne në familje. Nuk kemi nevojë ‘traditën’ ta bëjmë virale…