Terapia me tri substanca po u ndihmon të infektuarve me Covid-19 të shërohen më shpejt
Një kombinim i tri substancave antivirale me një përforcues të sistemit imunitar duket se po u ndihmon pacientëve me koronavirus që të shërohen më shpejt, raportuan të premten mjekët në Hong Kong.
Ata thana se kjo metodë ka nevojë të testohet më shumë, por mund të paraqesë një mundësi tjetër për trajtimin e të infektuarve me Covid-19. Tash për tash, i vetmi trajtim i autorizuar është ilaçi Remdesivir, i cili gjithashtu ndikon në kohëzgjatjen e sëmundjes, por në treg ka mungesë të tij.
Dr. Kwok-Yung Yen nga Universiteti i Hong Kongut dhe kolegët e tij e testuan kombinimin e ilaçeve që përdoren kundër HIV-it, Ritonavir, Lopanivir dhe Ribavirin, bashkë me një ilaç që përdoret kundër sklerozës së shumëfishtë, i quajtur beta interferon.
Pacientët që u përfshinë në studim patën simptoma të lehta dhe të mesme dhe u trajtuan brenda shtatë ditëve nga data e konfirmimit si të infektuar. Disa mjekë besojnë se trajtimi i pacientëve më herët gjatë rrjedhës së infeksionit mund të jetë më i mirë.
Ekipi i shkencëtarëve i dha një grupi të pacientëve vetëm kombinimin e ilaçeve kundër HIV-it, ndërsa një grupi tjetër kombinimin e këtyre ilaçeve, Ribavirinit dhe beta interferon-it, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Pacientët që e morën kombinimin e dytë dolën negativë për koronavirus mesatarisht shtatë ditë pas infektimit. Ata që e morën kombinimin e parë mesatarisht u shëruan pas 12 ditëve.