Tension mes vëzhguesve të LDK-së dhe VV-së, ‘kapen’ për një fletëvotim – PAMJE

Të shtunën raportohet se ka pasur tensione për një fletëvotim mes vëzhguesve të LDK-së dhe VV-së në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë.
Kosova Press ka publikuar pamje, ku sipas tyre, vota ishte vendosur për VV-në por kishte mbishkrim te subjekti Fjala.
Këtë, vëzhguesit e LDK-së e kanë konsideruar si të pavlefshme duke u kundërshtuar kështu nga ata të VV-së.
Vlefshmëria e votës, raportohet se po shqyrtohet nga komisioni.
Theksojmë se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në këto zgjedhje duke marrë 40.84 për qind apo 341 mijë e 672 vota.
PDK ka dalë e dyta me 22.05 për qind, apo 184 mijë e 499 vota dhe LDK e treta me 17.67 për qind ose 147 mijë e 827 vota.
Në vendin e katër, është renditur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.45 për qind apo 62 mijë e 309 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave të kandidatëve për deputet, ndërsa më pas do të numërohen edhe ato me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.