Tenderi milionësh për ushqim të FSK’së, ku u përfshi Shemsi Syla, shkon në Gjykatën e Tenderëve

Tenderi milionësh për ushqim të FSK’së, ku u përfshi Shemsi Syla, shkon në Gjykatën e Tenderëve

Tenderi 2.1 milionësh që u dha nga Ministria e Mbrojtjes, përmes negocimit, ka shkuar në Gjykatën e Tenderëve. Një kompani është ankuar për diskriminim dhe favorizim të kompanive fituese. Aty janë ngritur dyshime për shkelje të ligjit nga ky dikaster. Ministria e Mbrojtjes, këtë tender ia ka dhënë kompanisë që para dy vitesh u përfshi në një incident të drogës në burgun e Dubravës.

Ministria që udhëhiqet nga Ejup Maqedonci, me 18.09.2024, ka nënshkruar një tender në vlerën prej 2,149,000.

Kjo kontratë u dha përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Tenderi peshon mbi 2 milionë euro dhe u dha përgatitje të ushqimit për Ushtrinë e Kosovës.

Kjo kontratë njëburimore siç ka raportuar Gazeta Insajderi iu dha grupit të operatorëve ekonomik “NTPK HAJDINI COMERC”, “Bylmeti-KS”.

Ndërsa tashmë janë ngritur dyshime edhe për shkelje të ligjit dhe diskriminim në këtë tender.

“Hajdini Comerc”, nuk ka kuzhinier, Ministria dyshohet se ka shkelur ligjin

Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, një operator ka ngritur dyshime serioze lidhur me tenderin 2.1 milionësh të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në ankesën e dorëzuar thuhet se ministria ka diskriminuar dhe ka shkelur ligjin në dhënien e kontratës për “NTPK HAJDINI COMERC”, “BYLMETI-KS”.

Kompania ankuese tha se nuk i është dërguar fare ftesë për tender duke favorizuar kompaninë fituese.

 

Tutje, aty thuhet se nga kompania fituese nuk është përmbushur kriteri: Kërkesat e përshtatshmërisë profesionale

Bazuar në të dhënat e shënuara në këto dy certifikata të regjistrimit të bizneseve shume qarte shihet së ky Grup i OE, as për së afërmi nuk e plotëson kërkesën e Autoritetit Kontraktues- të Kërkesat e përshtatshmërisë profesionale, neni 7.1&7.2, – Kërkesa 4- për faktin se asnjeri nuk e ka aktivitet primar shërbime te ushqimit dhe aktivitet shërbyes lëvizës të ushqimit ashtu siç ka kërkuar Autoriteti Kontraktues – Ministria e Mbrojtjes“, thuhet në ankesë.

Në anën tjetër në këtë ankesë në OSHP, pretendohet se kompanitë fituese nuk kanë fare kuzhinier të punësuar.

Në Listën e të Punësuarave të Lideri të Grupit të OE: N.T.P HAJDINI COMERC, që ka ofertuar në aktivitetin me numër të prokurimit:: 217-23-5070-2-1-1- Shërbimet me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) në kazermat Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, omozotin, Gjakovë, Prizren” për nevoja të FSK-së, i ndare ne tri Lote, që ne kemi pasur qasje është pare së ky OE nuk ka pasur të punësuar as edhe një kuzhinier/e me kontrate pune.

Bazuar në të dhënat e shënuara me larte shume qarte shihet se Grupi i OE:HAJDINI COMERC; Bylmeti- KS”, as për se afërmi nuk i plotëson kriteret- kërkesat e AK të kërkuara ne Dosjen e Tenderit“, thuhet aty.

Akuzat e kompanisë ankuese nuk përfunduan më kaq, pasi thanë se Ministria për interesa të ngushta po luanë me FSK-në.

Është shume shqetësues fakti së si disa nga Zyrtaret Përgjegjës të Autoritetit Kontraktues Ministria e Mbrojtjes për interesa krejtësisht të ngushta personale luajnë me kredibilitetin e institucionit- Ministrisë se Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës duke shpërblyer me kontrate një Grup të OE të cilët nuk kane eksperience e as realizuar asnjë kontrate në fushën e gastronomisë (përgatitje dhe servime të ushqimit), të cilët nuk kane asnjë kuzhinier me kontrate të rregullte të punës dhe nuk kane asnjë kapacitet për të realizuar ketë kontrate“, shkruhet ndër të tjerash aty.

Ndërkohë, Gazeta Insajderi ka raportuar se kompania fituese ishte përmendur lidhur me një incident me substanca narkotike në burgun e Dubravës.

Kush është kompania fituese dhe përfshirja në drogë?

“Hajdinit Comerc” që iu besua përgatitja e ushqimit për FSK-në, në vitin 2022 iu përfshi emri në një skandal.

Një sasi e konsiderueshme pilulash të dyshuara si ekstazi dhe një sasi mariuhane ishin kapur, pak para se të futeshin në burgun e Dubravës, në kamionin e firmës “Hajdini Comerc” pronë e biznesmenit Musaj Leku.

Fillimisht që substancat narktoike që u gjetën në kamionin që po e voziste Topalli ishin futur nga një person tjetër, i cili më vonë edhe u arrestua.

Që prej fillimit, avokatja e tij, Aurora Mulhaxha kishte deklaruar që klienti i saj është i pafajshëm.

Afro një vit më vonë, në të njëjtin rezultat ka dalë edhe Prokuroria Themelore në Pejë.

Më 13 shtator 2022 organet e rendit parandaluan futjen e një sasie droge, kryesisht mariuhanë e pilula të dyshuar si ekstazi e mallra të tjera. Ato ishin duke hyrë në burgun e Dubravës.

Për këtë, Prokuroria për disa muaj pati mbajtur në paraburgim e masa të tjera shoferin e kamionit, Haxhi Topalli, që drejtonte një kamion të firmës “Hajdini Comerc”, kontraktor i Qeverisë për furnizim të burgjeve në Kosovë.

Një video që e pati siguruar Insajderi shfaqte që një natë më parë, drogën e mallrate e tjera kontrabandë në kamion i futi një person krejt tjetër. Ai shihej që nuk mban as dorëza e as maskë madje.

Ky person më vonë u raportua se ishte arrestuar.

Kompania “Hajdini Comerc” e Musaj Leku në vitin 2018 u angazhua edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në tenderin “Furnizim me mallra ushqimore për te burgosur – kantinë”. Kjo kontratë, ishte planifikuar që të ishte mbi 1.8 milionë euro.

Shpërndaje në: