Tenderi i dyshimtë për avokatin Isuf Zejna, Nagip Krasniqi e implikon profesorin e UP-së

Tenderi i dyshimtë për avokatin Isuf Zejna, Nagip Krasniqi e implikon profesorin e UP-së

Nagip Krasniqi ka thënë se miku i tij, profesori i Universitetit të Prishtinës dhe bashkë-themeluesi i organizatës jo-qeveritare GLSP, Fisnik Korenica, i ka rekomanduar atij angazhimin e avokatit Isuf Zejna si konsulent ligjor për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, në dëshminë e tij para prokurorëve specialë ka deklaruar se rekomandimin për angazhimin e studios ligjore të Isuf Zejnës për konsulencë ligjore e ka marrë nga “miku i tij Fisnik Korenica dhe nga BE-ja”.

Korenica, një profesor i asocuar i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, është bashkë-themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), një organizate të shoqërisë civile.

Bashkë-themeluesi i kësaj organizate, Dren Doli, në fillim të janarit të vitit 2022 ishte emëruar ambasador i Kosovës në Holandë, me propozimin e qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Si Krasniqi, ashtu edhe Zejna, akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar për kontratën e lidhur mes KEK-ut dhe studios ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë 60 mijë euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi ishte konsultuar paraprakisht me Isuf Zejnën për kontratën që do ta lidhnin më vonë.

Krasniqi dyshohet se i kishte kërkuar shefit të prokurimit në KEK që të iniciohet procedura e prokurimit të negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime ligjore edhe përkundër se në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponushmërisë së fondeve nuk ishte e paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

Sipas Prokurorisë, studio ligjore në pronësi të Zejnës paraprakisht në një procedurë të hapur të prokurimit ishte shpallur i papërgjegjshëm.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Në deklarimet e tij të dhëna në prokurori me datën 29 dhe 30 gusht 2023, i pandehuri Nagip Krasniqi, ka deklaruar se “rekomandimin për angazhimin e Isuf Zejnës, e kishte marr nga BE dhe nga një mik i tij Fisnik Korenica”.

Krasniqi ka thënë se komunikimet që i ka zhvilluar me avokatin Isuf Zejna nuk kanë zbuluar asnjë sekret afarist, e as nuk është cenuar interesi i korporatës.

“Lidhur me dokumentin me titullin ‘Shërbime konsulente ligjore për korporatën energjetike të Kosovës termat e referencës Ter’, ka deklaruar se mund tu referohen rasteve potenciale të arbitrazhit dhe se nuk i kujtohet nëse ky dokument është draftuar nga “Rexhepi Zeqiri Zejna LLC”, thuhet në aktakuzë.

Lidhur me komunikimin me e-mail, të datës 6 shkurt 2023 dhe 3 mars 2023, Krasniqi ka deklaruar se ky komunikim kishte të bënte me konsulencën ndërkombëtare për rindërtimin e Kosovës A.

Kurse, për komunikimin me Isuf Zejnën përmes email-it me këtë përmbajtje “ju dhashë instruksion me ba vetëm çmimin ditor, jo atë limitin mujor”, “bisedo me Ymerin”, deklaroi se qëllimi i kësaj kishte qenë që çmimi të kalojë tarifën e Odës së Avokatëve dhe arsyeja pse ishte kyçur në këtë proces të prokurimit ka qenë për shkak të mungesës së resurseve në KEK.

E komunikimet tjera me Zejnën në WhatsAppp, Nagip Kransiqi ka thënë se nuk i kujtohen./paparaci

Shpërndaje në: