Temperaturat e larta në Shqipëri: 14 vatra zjarri gjatë 24 orëve
Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 3 vatra zjarri.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se këtë të premte, puna po vijon në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq.
Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore, kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.
Po ashtu, po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.