Televizioni rus thirrje qytetarëve: Përgatituni për Luftën e III-të Botërore, blini këto ushqime

Periskopi.com Lajme

Teksa marrëdhëniet Rusi-SHBA janë në pikën e tyre më të nxehtë prej Luftës së Ftohtë Botërore, e me paralajmërimin e Trump për bombardime në Siri, mediat ruse kanë filluar të japin këshilla se si të mbijetojnë nëse shpërthen Lufta Bërthamore.

Televizioni publik rus, Rossiya-24news, gjatë një transmetimi rutinë ka sugjeruar se cilat janë ushqimet ideale për të mbijetuar si edhe paketimet që duhet përdorur teksa do jetojnë në vendstrehime në rast të një sulmi bërthamor.

Shikuesve u është thënë që të paketojnë oriz, pasi mund të ruhet deri në 8 vite, si dhe ushqime të thata si tërshëra që mund të zgjasin për 3 deri në 7 vite, si edhe lajthi, një nga më të preferuarat të rusëve që mund të ruhen deri në 1 vit.

“Nuk është e këshillueshme ruajtja e konservave të peshkut, pasi pas dy vitesh nuk mund të konsumohen. E sigurisht nuk mund të mbijetohet për vite të tëra në vendstrehim pa kripë, sheqer dhe qumësht, të paktën nga ai pluhur. Ëmbëlsirat nuk janë të këshillueshme, e duhen lënë pas”, ka thënë gazetari, duke shtuar “Sigurisht që glukoza është një element kyç për çlirimin e energjisë në trupin e njeriut, por ato krijojnë shumë etje dhe uji pa më të voglin dyshim do të jetë një nga burimet kryesore të mbijetesës”.

Donald Trump e përdori Twitter-n të mërkurën për të paralajmëruar se një sulm raketash në Siri është i afërt, disa orë pasi Kremlini u zotua për të shuar çdo raketë ndaj regjimit të Asadit si hakmarrje për mizoritë e gazit helmues të javës së kaluar në periferi të Doumës.

Trump ndoqi një postim të dytë Twitter, duke pretenduar se raporti i Amerikës me Moskën nuk ka qenë kurrë më i keq.

“Marrëdhënia jonë me Rusinë është më i keqi tani sesa ka qenë ndonjëherë, dhe kjo përfshin Luftën e Ftohtë”, shkroi në Twitter.

Ndërkohë, pas kërcënimit të Trump ka ardhur edhe reagimi “i butë” nga presidenti rus.

Vladimir Putin ka shprehur shpresën se “mendimi praktik” përfundimisht do të mbizotërojë në botën moderne, e cila është duke u bërë “më kaotike”.